Digjitalizimi i dokumenteve të Periudhës Osmane në Shqipëri

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Turqisë ka filluar digjitalizimin e dokumenteve historike.

Arnavutluk Osmanlı Arşivleri_Sayısallaştırma süreci_01.jpg
Arnavutluk Osmanlı Arşivleri_Sayısallaştırma süreci_07.jpg
Kalkandelenli Mehmet Paşa_sergi_3.jpg
Kalkandelenli Mehmet Paşa_sergi_4.jpg
ALSAR_Durres_Ahmed Ferid Mustafa_Hamdi Arslan_1.jpg
ALSAR_Durres_Ahmed Ferid Mustafa_Hamdi Arslan_13.jpg

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Turqisë ka filluar digjitalizimin e dokumenteve historike (fermanët, defterët e taksave, mandatet, regjistrat e sheries, defterët e kadastrave të tapive, vakfit, etj.) të periudhës Osmane në Arkivat e Shqipërisë.

Procesi i digjitalizimit i afërsisht 650.000 dokumenteve i cili ka filluar në vitin 2017, po realizohet nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Turqisë dhe mendohet të përfundojë brenda një periudhe 4 vjeçare.

Në një prononcim mediatik, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Dr. Ardit Bido tha: 

“…Në çastin që TIKA bëri këtë investim në Arkivin Qendror të Shtetit, në fakt ajo barazoi me buxhetin vjetor të investimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.  Është shumë e rëndësishme për këtë institucion që ne tashmë kemi laborator digjitalizimi mjaftë modern, përtej faktit të thjeshtë të produktit cilësor që nxjerrë vetë laboratori. Në vetë kontekstin dhe përmbajtjen e këtij projekti, ne arrijmë të digjitalizojmë në një projekt 2-3-vjeçar të gjithë dokumentacionin Osman që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit për ta shkëmbyer më vonë me dokumentacionin Osman mbi Shqipërinë në Arkivin Turk dhe me shpresën në Kadastrën Turke…”.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Dido për këtë investim të madh dhe bashkëpunim të frytshëm midis dy institucioneve falënderoi Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA).

“…Dua të falënderoj veçanërisht TIKA-n për këtë investim mjaft bujar dhe për bashkëpunimin që jam i sigurt se do të zhvillohet edhe më tej në të ardhmen. Një zhvillim që në fakt, i cili ndryshon pamjen e institucioneve, ku TIKA shkon edhe investon si dhe qëndron për breza të tërë, për tej faktit të thjeshtë të projektit afat shkurtër të cilin ai investim kryhet…”.

Ndërsa, Ahmet Çiçek, specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Turqisë u shpreh:

“…Në koordinimin me TIKA-n, në bashkëpunim me Kryesinë e Institucionit të Arkivave të Shtetit  dhe si domosdoshmëri e protokolleve të nënshkruar mes shteteve ballkanike mundohemi të sigurojmë integrimin e dokumenteve arkivore Osmane në shtetet ballkanike me dokumentet arkivore në shtetin tonë.

Këtu kemi plotësuar në mënyrë të konsiderueshme skanimet e dokumenteve arkivore, mendoj se për një periudhë kohore prej 3 muajsh do të mund të plotësojmë këtë punim. Ky digjitalizim njëkohësisht do të korrë një fitim të madh qoftë në aspekt të mundësimit të lehtësimit të punimeve të studiuesve, por edhe të sigurimit të dokumenteve dhe të gjithë dokumentetdo të hapen ndaj studiuesve pa prekur dora e njeriut në ta. Ne falënderojmë të gjithë ata që u bënë shkak për këta punime, që na ofruan lehtësim, që na pritën këtu me mikpritjen e tyre.

Me këtë rast falënderojmë të gjithë në emër të institucionit tonë, në emër të Zyrës Koordinatore të Agjencisë TIKA dhe në emër të shtetit tonë…”.

***

-Objektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë për 2019, hapja e negociatave prioritet 

Hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke mbështetur strukturat e administratës publike që do të angazhohen në procesin e “screening”, është objektivi kryesor që synohet të arrihet nga aktiviteti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2019-2020.

Në fjalën e tij në Kuvend, në prezantimin e buxhetit 2019 për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri Ditmir Bushati theksoi se, prioritetet gjithashtu parashikojnë:

Zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me prioritet partneritetin strategjik.

Vazhdimin e angazhimeve për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të shtetit të Kosovës për pjesëmarrje dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Funksionalizimin dhe mbështetjen e punës së dy nismave rajonale me seli në Tiranë: Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor si dhe në tërësi pjesëmarrjes aktive në bashkëpunimet shumëpalëshe rajonale.

Kryesimin e disa nismave rajonale dhe organizatave ndërkombëtare.

Pjesëmarrje aktive dhe realizimin e kontributit të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Zbatimin e detyrimeve të anëtarësimit në organizata dhe forume shumëpalëshe.

Plotësimin e bazës ligjore të bashkëpunimit me vendet e tjera.

Forcimin dhe rritjen e rolit të diplomacisë publike ekonomike dhe diasporës, në shërbim të interesave ekonomike të Shqipërisë, promovimit dhe potencialit për investime, tregti dhe bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe kulturor me partneret ndërkombëtarë dy dhe shumë palësh.

Realizimin e shërbimit konsullor mbështetur në profesionalizëm, eficiencë, transparencë dhe përgjegjshmëri.

*** 

-Ekspozitë fotografike në 175-vjetorin e lindjes së Mehmet Pashë Dërrallës

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka ka marrë pjesë në një ekspozitë në kujtim të 175-vjetorit të lindjes së Mehmet Pashë Dërrallës, ministrit të parë shqiptar të Mbrojtjes.

Në 175-vjetorin e lindjes të Mehmet Pashë Dërrallës, ministrit të parë shqiptar të Mbrojtjes, Qendra jonë e Kulturës çeli një ekspozitë fotografike në Muzeun e FA,  ndërkohë që po aty Arkivi ynë dhe ai i Shtetit ekspozuan fotografi dhe dokumente historike për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, disa prej të cilave të publikuara për herë të parë”, shkruan në FB, Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, teksa poston foto nga vizita e saj në këtë ekspozitë

Ministrja e Mbrojtjes në vizitën e saj te ekspozita, u shoqërua nga drejtori i arkivit, Ardit Bido.

Mehmet Pashë Dërralla ose Mehmed Kallkandeleni lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit, Perandoria Osmane (sot Republika e Maqedonisë). Mehmet Dërralla është regjistruar në memorien historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare. Mehmet Pashë Dërralla ishte ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë.

Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, qe Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar në këtë post të lartë nga Isa Boletini. Gjatë kohës dhe në shumë dokumente arkivore të kohës, Dërralla quhej dhe Kalkandeleni, emër i Tetovës ku ai kishte lindur.

Historia e Mehmet Pashë Dërrallës:

Ai, në moshën 35-vjeçare u gradua Pasha (Gjeneral) i Perandorisë Osmane. Dita e Festës Kombëtare të Ushtrisë, 4 dhjetor 1912, kohë në të cilën qe ministër Mbrojtje, lidhet dhe me emrin e kontributin e Mehmet Dërrallës.

Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehmetin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit.

I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Prej Selanikut Mehmet Pashë Dërralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma. Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Dëralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë Osmane…

***

-“Takim me personalitete” 

Në kuadër të zhvillimit të programit të tij kulturor “Takim me personalitete”, fondacioni “ALSAR” organizoi para pak ditëve në qytetin e Durrësit në bashkëpunim edhe me qendrën "Dyrrah for Charity" një veprimtari në të cilën ishin të ftuar dy personalitete të shquara, akademiku Ahmed Ferid Mustafa dhe profesori Hamdi Arslan nga Turqia.

Gjatë këtij takimi arkitekti, studiuesi dhe akademiku i mirënjohur Ahmed Ferid Mustafa mbajti ligjëratën e tij me temë: “Planifikimi urban i qytetit të Medinës së Ndritshme”, ku ndër të tjera u shpreh se “Miliona myslimanë vizitojnë xhaminë e Profetit në Medine, çdo vit, por shumë pak e dinë se Medina Munawwarah, Qyteti i Dritës, nuk është vetëm zgjidhja e parë në Islam, por edhe një shembull i shkëlqyer i planifikimit urban…”.

Ndërsa, profesori Hamdi Arslan në ligjëratën e tij trajtoi temën rolit dhe rëndësisë së vëllazërisë në Islam, gjatë së cilës theksoi se: “…Një nga urdhrat bazë të Islamit është që myslimanët ta shohin njëri-tjetrin si vëllezër dhe të bëjnë atë që kërkon vëllazëria. “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër!..” Pra, besimtarët nuk janë gjë tjetër përveçse vëllezër dhe për rrjedhojë, duhet të sillen si vëllezër me njëri-tjetrin. Ndërsa Profeti (a.s.), ka thënë: “Nuk do të keni besuar (plotësisht), pa dëshiruar për vëllain tuaj atë që dëshironi për veten!” Rëndësia e saj është shumë e madhe, si nga ana shoqërore e po ashtu edhe nga ajo individuale…”,- tha ndër të tjera profesori Arslan.

Mesazhet që u përçuan gjatë këtyre ligjëratave, u ndoqën me vëmendje e interes të veçantë nga pjesëmarrësit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme