Ankara – Çelet ekspozita me titull “Kosova, 10 Vite Pavarësi”

Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Ankara, nën kujdesin e veçantë të ambasadorit Avni Spahiu, çeli në një nga qendrat tregtare më prestigjioze të kryeqytetit turk ekspozitën me titull “Kosova, 10 Vite Pavarësi”...

915759
Ankara – Çelet ekspozita me titull “Kosova, 10 Vite Pavarësi”

Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Ankara, nën kujdesin e veçantë të ambasadorit Avni Spahiu, çeli të dielën (18 shkurt), në një nga qendrat tregtare më prestigjioze të kryeqytetit turk, ekspozitën me titull “Kosova, 10 Vite Pavarësi”.

Në çeljen e kësaj ekspozite domethënëse me piktura dhe fotografi nga Kosova ishin të pranishëm gjithashtu ambasadorët e disa vendeve ballkanike në Ankara, si dhe autoritete lokale turke.

Ambasadori Spahiu, në fjalën e rastit, shprehu kënaqësinë e tij që priti miqtë e Kosovës në çeljen e ekspozitës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së vendit të tij.

“Të nderuar ambasadorë, të nderuar miq të Kosovës dhe Turqisë, faleminderit për prezencën tuaj këtu. Është kënaqësia ime t’ju pres këtu në çeljen e ekspozitës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kjo është një ditë speciale, e shënuar për Kosovën, pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm për popullin e saj deri në shpalljen e pavarësisë më 17 Shkurt 2008. Një dekadë më vonë, ne jemi duke festuar këtu në Ankara bashkë me miqtë tanë turq një datë shumë domethënëse dhe të rëndësishme për historinë tonë.

Kjo është gjithashtu një dekadë plot miqësi dhe bashkëpunim me Republikën e Turqisë, një partnere shumë e rëndësishme për Kosovën. Miqësia jonë, realisht, i ka rrënjët në një histori qindravjeçare dhe në 10 vitet e fundit kjo miqësi është intensifikuar me mbështetjen e Turqisë në çdo fushë. Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës dua veçanërisht të falënderoj ekzekutivin dhe popullin turk për një mbështetje kaq të madh për vendin tim.

Kosova është një shtet vetëm 1 orë larg Stambollit, nga ku realizohen çdo ditë 3 fluturime të rregullta për në Prishtinë, ndaj ju ftoj që të vizitoni Kosovën në çdo kohë. Njerëzit janë të ngrohtë e miqësorë, natyra është mjaft e bukur dhe ju do të gjeni një mikpritje të jashtëzakonshme atje. Prandaj edhe një tjetër herë ju sugjeroj dhe inkurajoj që të vini dhe vizitoni Kosovën.

Është një nder për mua të hap këtë ekspozitë me pikura dhe fotografi nga Republika tashmë 10-vjeçare e Kosovës, ku ju do mund të gjeni qytete të bukura, natyrë të bukur dhe njerëz të mrekullueshëm. Në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë sponsorët e këtij evenimenti që na mblodhi këtu.

Unë s’kam ndërmend ta zgjas më shumë fjalën, por më lejoni vetëm t’ju kujtoj sërish që të shikoni fotografitë dhe të mendoni për të ardhur në Kosovë që t’i shikoni këto bukuri për së gjalli. Faleminderit të gjithëve që erdhët”, tha ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Avni Spahiu.

Evenimenti vazhdoi me performancën e një grupi folklorik nga Stambolli, që kërceu disa valle shqiptare nga trevat e Kosovës duke marrë duartrokitjet e të pranishmëve.

Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Teatrove të Turqisë, nën kujdesin e drejtorit të përgjithshëm, Mustafa Kurt dhe me projektin e Anxhela Bregut, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara, dha një shfaqje që ngjalli një interes dhe emocion të veçantë.

Në skenë u “ringjallën” disa nga figurat më të rëndësishme shqiptare, që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në historinë e Perandorisë Osmane dhe Republikën e Turqisë, personalitete të rëndësishme edhe për historinë shqiptare.

Studentë në akademinë ushtarake dhe universitete civile nga trevat të ndryshme të shqiptarisë, me kostumet dhe makijazhin e mundësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Teatrove të Turqisë, sollën në skenë burra të shquar si Sami Frashëri (Musa Hajdari), Hoxhë Hasan Tahsini (Besir Zeneli), Mehmet Akif Ersoj (Muaz Kazazi), Vaso Pashë Shkodrani (Agon Besimi), Isa Boletini (Arbnor Murati) dhe Ali Sami Frashëri (Krenar Doli).

Në fund, ambasadori Spahiu preu shiritin duke realizuar çeljen zyrtare të ekspozitës dhe përmes mikrofonit tonë dërgoi një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët e Turqisë dhe më gjerë.

Një falënderim i përzemërt shkon për unionet e ndryshme studentore dhe shoqatat shqiptare në Turqi, të cialt janë gjithmonë të pranishme me dashurinë dhe freskinë e tyre duke u dhuruar përherë gjallëri evenimenteve të tilla, që shqiptarët e Turqisë i presin me padurim.

Të pranishmit vizituan ekspozitën nën shoqërinë e tingujve të bukur të këngëve shqiptare nga trevat e Kosovës.



Lajme të ngjashme