Një portret i dyfishtë i Rembrandt restaurohet nga një ekip franko-holandez

Restauruesit francezë dhe holandezë të artit zbuluan të hënën në Amsterdam rezultatin e 18 muajve të rinovimit të një portreti të dyfishtë të pikturuar nga mjeshtri holandez, Rembrandt...

914055
Një portret i dyfishtë i Rembrandt restaurohet nga një ekip franko-holandez

Restauruesit francezë dhe holandezë të artit zbuluan të hënën në Amsterdam rezultatin e 18 muajve të rinovimit të një portreti të dyfishtë të pikturuar nga mjeshtri holandez, Rembrandt.

Këto dy tablo, që datojnë që prej vitit 1634, të një çifti të njohur holandez veshur me të zeza dhe dantella, ishin blerë në vitin 2015 nga Franca dhe Holanda për 160 milionë euro, për herë të parë në Evropë.

Përgjatë një viti e gjysmë, ekipet e Luvrit në Paris dhe të Rijksmuseumit në Amsterdam kanë bërë kërkime mbi pikturat para se t’i hiqnin me kujdes të paktën gjashtë shtresa llak të vjetër.

Në sajë të teknikave shumë të sofistikuara, si skaner me ultravjollcë dhe rreze X, restauruesit kanë zbuluar se dy të dashuruarit ndanin të njëjtën telajo. Ata mendonin se telajo ka qenë e ndarë në dy pjesë para se të pikturohej.

Marten Soolmans, 20 vjeç dhe Oopjen Coppit, 22 vjeçe, ishin pjesë e telajos së dyfishtë prej më shumë se dy metra lartësi, privilegj zakonisht i rezervuar për aristokratët.

Martuar që prej një viti, djali i një tregtari belg mbante në dorën e majtë një dorezë lëkure. Me barkun e rrumbullakosur prej shtatëzanisë me fëmijën e parë, “Mona Liza e Holandës”, ashtu si e kishte quajtur kritiku i njohur francez, Theophile Thore, mbante një pupël të zezë dhe katër rreshta me perla.

“Tablotë pa asnjë dyshim janë pikturuar plotësisht nga Rembrandt deri në detajin më të vogël”, nënvizoi drejtori i përgjithshëm Rijksmuseum të Amsterdamit, Taco Dibbits, në një konferencë shtypi.

“Në duart e koleksionistëve privatë për gati katër shekuj, këto përfaqësime janë portretet e vetme dhe unike të një çifti të martuar, të realizuara ndonjëherë nga Rembrandt”, sipas Dibbits.

Zyrtari i departamentit të pikturave të Luvrit përshëndeti këtë projekt novator që në fund të negociatave të komplikuara ka rezultuar me një zgjidhje evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. /ATSH



Lajme të ngjashme