Harrison Ford dhe Rajan Gosling shpalosin filmin e ri "Blade Runner"

Pjesa e dytë e filmit legjendar do të hyjë në vizion më 4 tetor.

Harrison Ford dhe Rajan Gosling shpalosin filmin e ri "Blade Runner"

Yjet e Hollivudit, Harrison Ford dhe Rajan Gosling kanë shpalosur për Anadolu Agency (AA) detaje nga filmi i ardhshëm i tyre "Blade Runner 2049", që është vazhdimësi e filmit fantastiko-shkencor me po të njëjtin emër nga viti 1982.

Në një intervistë ekskluzive të zhvilluar në Berlin, Ford tha se nuk kishte imagjinuar dot se do të ketë një vazhdim të filmit epik: “Asnjëherë nuk kam menduar se do të bëjmë një film të dytë. Gjithçka u bë nga Ridley Scott, regjisori i filmit të parë, i cili ngjalli ambiciet për të bërë një film të dytë”, tha Ford.

Në filmin e parë Blade Runner, fituesi i çmimit Globi i Artë (Golden Globe), Harison Ford, luajti personazhin e Rick Deckhardit, një polic vetjak. “Ai (Scott) prodhoi një rrëfim shumë interesant që më dha potencial të eksploroj më tutje personazhin”, theksoi Ford.

Ai shtoi se filmi do të ketë kuptim edhe për shikuesin i cili nuk ka parë filmin e parë meqë ndërtohet në paraardhësin e tij, por gjithnjë duke sjellë diçka të re për publikun.

Duke folur për efektet speciale në film, Ford tha të njëjtat do të jenë "një kënaqësi e vërtetë vizuale" pasi teknologjia siç tha, është përmirësuar pafundësisht 35 vjet pas daljes së filmit të parë.

Aktori kanadez Gosling, i cili ishte vetëm 2 vjeç kur doli filmi i parë, tha se është një tifoz i madh i filmit origjinal, për të shtuar se akoma nuk mund të imagjinojë se është pjesë e trashëgimisë së tij.

"Isha i ngazëllyer nga skenari sepse është një histori kaq e mrekullueshme. Kishte aq shumë dinamikë interesante midis karaktereve, pyetjeve filozofike, dhe ideve konceptuale. Thjesht ishte një mundësi e mrekullueshme për mua", tha Gosling. 

Aktorët thanë se nuk janë lejuar të flasin shumë për filmin, pasi siç tha Ford, “dëshirojnë që publiku ta përjetojë filmin”.

Premiera e filmit është më 4 tetor. 



Lajme të ngjashme