Prezantohet në Tiranë libri “Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike”

Kjo vepër e autores së shquar britanike, Elizabeth Gowing, përshkruan historinë e Ballkanit që nga koha e vezirëve të Stambollit e deri tek shfaqja e filigranit në malësitë shqiptare...

767050
Prezantohet në Tiranë libri “Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike”

Shkrimtarja e mirënjohur angleze, Elizabeth Gowing, prezantoi në bibliotekën COD në Tiranë librin e saj “The Silver Thread, a journey through Balkan craftsmanship” (Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike).

Në mjediset e bibliotekës, mes artistëve e mjeshtreve të fushës, përfaqësuesve të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, botuesve etj., autorja ndan përvojën e saj në kërkim të gjurmëve të filigranistëve shqiptarë dhe ballkanas. Në panelin e moderuar nga Diana Çuli, autorja bashkëbisedoi me koleksionisten dhe studiuesen Linda Spahiu mbi artin e filigranit, si teknikë e vjetër e përpunimit të argjendit në trojet shqiptare e ballkanike që nga nxjerrja nga toka e deri te realizimi i veprave me finesë artistike.

Praktikisht, në secilin vend që kam shkuar, njerëzit kanë thënë që ‘babai im ka punuar, po unë jo’. Është si të kapësh diçka që është duke ikur”, tha shkrimtarja Elisabeth Gowing.

Fija e argjendtë e saj përshkruan historinë e Ballkanit që nga koha e vezirëve të Stambollit e deri tek shfaqja e filigranit në malësitë shqiptare. Si Edithi, ajo udhëtoi dhe gjeti këta njerëz, që jetojnë nga nxjerrja e argjendit; sidomos gratë e guximshme që punojnë mrekulli të brishta e delikate me materiale të forta për të siguruar pavarësinë e tyre ekonomike.

“Trashëgimia shqiptare i përket jo vetëm Shqipërisë, është pjesë e kulturës evropiane dhe botërore”, thotë Linda Spahiu.

Ky gjerdan prej argjendi, të cilin sot Elizabeth Gowing mban në qafë, dhuratë nga bashkëshorti i saj që prej vitesh jeton në trekëndëshin Shqipëri, Kosovë, Angli, u bë shkak që shkrimtarja britanike të kërkonte më shumë mbi origjinën e tij.

Si një Edith Durham e shekullit XXI, Elizabeth u zhvendos në Kosovë, nën gjurmët e filigranit që te nxjerrja nga toka e argjendit e deri te shndërrimi i metalit të çmuar në një vepër arti.

Gjithë këtij hulumtimi Elizabeth Gowing i dedikon një libër, një dëshmi e gjallë mbi filigranin, një zeje unike ballkanike.

“Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike” është një libër që përmes filigranit rrëfen edhe historinë e Ballkanit, nga nëntoka te luftërat e viteve ’90.

Gowing është përkthyese e disa librave nga shqipja në anglisht dhe bashkëthemeluese e shoqatës “The Ideas Partnership”, që punon në Kosovë për projekte të arsimit, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.

Të ardhurat nga shitja e këtij libri do t’i jepen romëve e egjiptianëve në Kosovë, dy komunitetet me të cilat punon Elizabeth Gowing e për të cilën Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, i dha çmimin e vullnetarizmit “Point of Light”.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme