UNWTO: Turizmi do të shënojë rritje gjatë vitit 2017

Organizata Botërore e Turizmit parashikon që Industria e turizmit të ketë një rritje prej 3 deri në 4 për qind gjatë vitit 2017.

UNWTO: Turizmi do të shënojë rritje gjatë vitit 2017

Industria e turizmit pritet të ketë një rritje prej 3 deri në 4 për qind gjatë vitit 2017. Ky është parashikimi i bërë së fundmi nga paneli i ekspertëve të UNWTO, Organizatës Botërore të Turizmit, sipas të cilëve turizmi do të vazhdojë të ketë ecuri pozitive edhe përgjatë këtij viti, ashtu siç pati në vitin 2016.

Nga anketa e zhvilluar nga UNWTO rezulton se 63 % nga 300 të anketuar presin rezultate të mira në vitin 2017, në nivele të ngjashme me ato të 2016.

Në Evropë rritja parashikohet të jetë në shifrat 2 deri në 3 për qind, në Amerikë 4-5 %, në Azi dhe Paqësor nga 5-6 %, dhe në Lindjen e Mesme 2-5 %.

“Turizmi ka treguar një forcë të jashtëzakonshme dhe elasticitet në vitet e fundit, pavarësisht shumë sfidave, veçanërisht atyre të lidhura me sigurinë. Ende, udhëtimi ndërkombëtar vazhdon të rritet fuqishëm dhe të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenien e komuniteteve në mbarë botën”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO,  Taleb Rifai.

Duke kujtuar se viti 2017 është përcaktuar nga OKB si viti ndërkombëtar i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, Rifai thotë se “duhet të punojmë ngushtësisht së bashku për të rritur kontributin e turizmit në rritjen ekonomike, atë sociale, ruajtjen e kulturës dhe të mjedisit”.

Gjatë 2016-ës ecuria e turizmit në destinacionet e Evropës ishte e ndryshme. Në total, numri i turistëve ndërkombëtarë arriti në 620 milionë ose 12 milionë (2%) më shumë se në vitin 2015. Në Evropën Veriore rritja u regjistrua 6% dhe në atë Qendrore në 4%. Për Evropën Perëndimore rezultati ishte i pandryshueshëm në krahasim me 2015-ën, ndërsa në Mesdhe turizmi u rrit me vetëm 1%.
 



Lajme të ngjashme