Sterna Bazilikës, nis restaurimi më i plotë i historisë 1.500-vjeçare të saj

Sterna e Bazilikës, një nga destinacionet turistike më të famshme të Stambollit dhe Turqisë, po i nënshtrohet restaurimit më të plotë të historisë së saj 1.500-vjeçare...

10-11/Files/UploadedImages/8682611yerebatansarncyerebatansarn.jpg
10-11/Files/UploadedImages/6238456269yerebatansarnc.jpg
yerebatan sarnıcı.jpg
yerebatan sarnıcı.jpg
“Pallati nën ujë” që lë turistët gojëhapur
“Pallati nën ujë” që lë turistët gojëhapur

Sterna e nëndheshme 1 500-vjeçare e Stambollit, e njohur ndryshe edhe si “pallati nën ujë” dhe që është ndërtuar nga Justiniani I në shekullin e 6-të Stamboll, do të restaurohet e gjitha. Sterna ndodhet në Sheshin e Sulltan Ahmetit, 150 metra larg Shën Sofisë së famshme.

Sterna e Bazilikës (Yerebatan Sarnıcı), një nga destinacionet turistike më të famshme të Stambollit dhe Turqisë, po i nënshtrohet restaurimit më të plotë të historisë së saj 1.500-vjeçare.

Pas restaurimit, i cili nisi gjatë dhjetorit 2016 dhe do të vijojë për 450 ditë, kjo sternë e mbuluar do të fitojë një pamje të re.

Ndërtuar në shekullin VI (542) nga Perandori i Bizantit, Justiniani I, për të plotësuar nevojat e pallatit për ujë, që ndodhet në anën e kundërt të Hipodromit, Sterna e Bazilikës është ajo më e vjetra dhe më e madhja nëntokësore.

Përpara punimeve të rinovimit fizik, për këtë rezervuar antik të ujit që ndodhet përballë Muzeut të Shën-Sofisë, u realizuan një sërë matjesh, planifikimesh dhe evidencash teknike paraprake.

Celalettin Deniztoker, drejtor i Muzeut të Sternës së Bazilikës, bëri me dije se ky monument shumë i rëndësishëm është muzeu i tretë më i vizituar prej më shumë se 10 vitesh.

“Librat dhe filmat, që trajtojnë Sternën e Bazilikës, kanë shtuar dukshëm interesin për këtë monument dhe kjo përkthehet në një rritje të përvitshme me rreth 10 për qind në numrin e vizitorëve. Ajo do të jetë e vizitueshme edhe gjatë procesit të restaurimit. Sterna është një monument 1.500-vjeçar dhe ka arritur t’i qëndrojë kohës pa dëmtime të mëdha deri më sot. Me lejen e Zotit, pas këtij restaurimi tërësor, kjo sternë do të jetë në shërbim të njerëzve edhe për 1.500 vite të tjera”, deklaroi Deniztoker.

Bashkë me Sternën e Bazilikës do të restaurohen gjithashtu Peshorja e Ujit dhe Guri Kilometrik (njohur gjerësish si Milioni), monumente që ndodhet në parkun pranë saj. Homolog i Miliarit të Artë në Romë, Milioni është ngritur në shekullin IV dhe konsiderohet si pika e fillimit dhe referenca e të gjitha rrugëve të Romës së lashtë.

E quajtur nga populli turk si “Saraji i Nëndheshëm” për shkak të madhështisë ndërmjet kolonave të mermerta, të cilat ngrihen nga brenda ujit, Sterna e Bazilikës është 140 m e gjatë, 70 m e gjerë dhe në të zbritet me anë të 52 shkallëve të gurta. Ajo shtrihet në një sipërfaqe rreth 9.800 m2 dhe ka 12 reshta me nga 28 kolona, të mbështetura në harqe tullash dhe qemerë të kryqëzuar. Me pamjen e një galerie, Sterna e Bazilikës ka gjithsej 336 kolona nga 9 m të larta.

Plot 295 nga kolonat në fjalë, shumica e të cilave u përkasin objekteve akoma më të moçme dhe janë shfrytëzuar përsëri në ndërtimin e sternës, ndodhen në pjesën aktualisht të vizitueshme të monumentit, ndërsa 41 të tjera në pjesën e mbyllur.

Emri “Bazilika”, i cili lakohet kryesisht në burimet perëndimore për këtë sternë me kapacitet depozitimi afro 100.000 tonë ujë, i referohet Bazilikës Ilius, shumë pranë sternës. Jo pak dokumente antike tregojnë se në ndërtimin e saj janë angazhuar 7.000 punëtorë.

Sterna e Bazilikës ka plotësuar për shekuj me radhë nevojën për ujë të pallateve perandorake bizantine e otomane, por edhe të banorëve të zonës përreth tyre. Ajo është restauruar dy herë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Për herë të parë është meremetuar gjatë kohës së Sulltan Ahmetit III (1723) nga arkitekti Mehmet Agë Kajseriliu, ndërsa restaurimi i dytë është bërë gjatë periudhës së Sulltan Abdulhamitit II (1876-1909). Për emrin e arkitektit nuk ka të dhëna të sakta.

Përveçse është një muze kombëtar shumë i frekuentuar, Sterna e Bazilikës mirëpret gjithashtu një numër të madh aktivitetesh kombëtare e ndërkombëtare. Ajo u shndërrua në muze nga Bashkia Metropolitane e Stambollit pas ndërtimit të një platforme për shëtitjen e këmbësorëve në brendësi të saj, në vitin 1987. Kurse në 1994-n iu nënshtrua një tjetër mirëmbajtjeje të madhe dhe pastrimi tërësor.



Lajme të ngjashme