Shkodër – Ndahen çmimet e konkursit të pikturës “Stambolli i ëndrrave të mia”

Në qendrën kulturore të institutit turk “Junus Emre”, në qytetin Shkodër të Shqipërisë, është organizuar në fundjavën e kaluar ceremonia e shpërndarjes së çmimeve për ekspozitën e pikturës me temë “Stambolli i ëndrrave të mia”...

Shkodër – Ndahen çmimet e konkursit të pikturës “Stambolli i ëndrrave të mia”

Në qendrën kulturore të institutit turk “Junus Emre”, në qytetin Shkodër të Shqipërisë, është organizuar në fundjavën e kaluar ceremonia e shpërndarjes së çmimeve për ekspozitën e pikturës me temë “Stambolli i ëndrrave të mia”.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e “Galerisë së Arteve”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të qytetit, artistë, si dhe zv/ambasadorja e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Gul Sarigul.

Drejtori i institutit turk “Junus Emre” në Shkodër, Omer Osman Demirbas, tha se ky konkurs u organizua për të dokumentuar dashurinë e shqiptarëve ndaj qytetit të Stambollit.

Ndërsa zv/ambasadorja e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj.Gul Sarigul, në fjalën përshëndetëse të saj u shpreh me këto fjalë: “Jam shumë e lumtur që marrë pjesë si përfaqësuese e Ambasadës turke në ceremoninë e  shpërndarjes së çmimeve fituese të konkursit të pikturës me temë ‘Stambolli i ëndrrave të mia’. Mendoj dhe jam e bindur se një projekt i realizuar kaq mirë do të hapë rrugë të reja të miqësisë dhe vëllazërimit midis dy shteteve. Lidhja  midis dy vendeve dhe vëllazërimi midis tyre në fakt ka rrënjë shumë të hershme, qindravjeçare, dhe përveç saj ka edhe ngjashmëri kulturore midis dy shteteve mike. Me shumë siguri pjesëmarrja me vepra artistike për Stambollin, duke qenë se Stambolli është një qytet mbi 1500-vjeçar, mund të krijohet nga një talent shumë i rrallë, që në secilin prej nesh dhe në secilin prej vizitorëve të kësaj ekspozite do të krijojë, përveç habisë, edhe një mrekulli.”

Znj. Sarigul, në emër të familjes së Ambasadës së Turqisë në Tiranë, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konkurs ekspozite për vitin 2016.

“Dëshiroj të falënderoj secilin pjesëmarrës artist në këtë ekspozitë pikture, sepse nuk është e thjeshtë të ëndërrosh një qytet aq të lashtë dhe ta pasqyrosh atë kaq mjeshtërisht në një tablo”, tha ajo ndër të tjera.

Vlen të përmendet se në këtë konkurs morën pjesë një numër i madh piktorësh me vepra, të cilat, sipas vlerësimeve të pjesëmarrësve, ishin njëra më e bukur se tjetra.

Këto vepra artistike janë vlerësuar nga një juri profesionistësh shqiptarë dhe turq.

Kuratori i njohur, Ylli Drishti, foli për elementët e përzgjedhur nga 40 artistë pjesëmarrës të moshave të ndryshme, të ndarë në tri grupmosha, ku në fund u bë edhe ndarja e çmimeve fituese.

Aktiviteti “Stambolli i ëndrrave të mia” u mundësua nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Stambollit, Minibashkia e Uskudarit në Stamboll, Ambasada e Turqisë në Tiranë, Bashkia e Shkodrës, Linjat Ajrore Turke (THY), Universiteti i Shkodrës etj.

 

- Përgatiti për TRT Shqip: Arben Halluni, Shkodër -



Lajme të ngjashme