Inva Mula dhe Genc Tukiçi koncert në Vjenë, prezantojnë perlat e muzikës shqiptare

Në koncert interpretoi edhe kuarteti i Filarmonisë së Vjenës, ku merr pjesë dhe Edison Pashko, i cili luajti në violonçel.

Inva Mula dhe Genc Tukiçi koncert në Vjenë, prezantojnë perlat e muzikës shqiptare

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Inva Mula, pianisti virtuoz Genc Tukiqi dhe balerini Eno Peçi, të shoqëruar nga instrumentistët e filarmonisë së Vjenës mbajtën ditët e fundit një koncert në Vjenë, në kuadër të festave kombëtare të Shqipërisë.

Koncerti u duartrokit nga publiku i mbledhur në sallën e famshme “Muth-Saal”, ku ishin të pranishëm shqiptarë që jetojnë, punojnë e studiojnë në Vjenë, si dhe shume dashamirës austriake e të huaj të Shqipërisë e artit të saj.

Gjatë koncertit artistët prezantuan vepra të kompozitorëve të njohur, por edhe perla të muzikës shqiptare, duke përfshirë ato të jugut, veriut dhe jaret shkodrane.

Më herët pianisti Genc Tukiçi është shprehur për mediat se “ky koncert shënon edhe 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Shqipërisë””.

Artistët sollën në këtë mbrëmje edhe sharmin francez, duke sjellë veprën e Ernest Chausson, si dhe prezantuan vepra të Listz, Brahms, Dvorak, duke përfshirë më pas edhe muzikën shqiptare.

Ai interpretoi edhe pjesën solo Marshi Turk të Moxart, duke ndërlidhur më pas edhe himnin shqiptar dhe atë austriak.

“Nuk ka rast më të mirë se sa në Vjenë, që të bëhet kjo ndërlidhje e muzikës”, ka thënë Tukiçi.

Në këtë koncert interpretoi edhe kuarteti i Filarmonisë së Vjenës, ku merr pjesë dhe Edison Pashko, i cili luajti në violonçel.



Lajme të ngjashme