Manastir - Inagurohet dhoma përkujtimore e anëtarëve të komisionit të alfabetit shqip

Në Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir, me konferencë shkencore kushtuar kësaj dite u shënua 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip.

Manastir - Inagurohet dhoma përkujtimore e anëtarëve të komisionit të alfabetit shqip

Në Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir, me konferencë shkencore kushtuar kësaj dite dhe me inaugurimin e Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit ku janë ngritur figurat e anëtarëve të komisionit, u shënua 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip.

Në manifestimin e organizuar nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kushtuar kësaj dite, morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, rektorë të universiteteve të trojeve shqiptare, përfaqësues të korit diplomatik, si dhe mysafirë të tjerë. Pas konferencës shkencore dhe inaugurimit të Dhomës Përkujtimore, do të mbahet një gala koncert në Qendrën e Kulturës në Manastir.

Zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimit e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, tha se me këto shkronja shkruhet në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, si dhe shtoi se këto shkronja janë margaritarë të çmuar të gjuhës shqipe dhe si të tilla do të mbijetojnë gjithnjë.

“Kjo shtëpi ka shpirtin e dëlirësisë dhe arsimimit shqip. Edhe pse herë pas here, kjo shtëpi sulmohet me gurë, shpirti i kësaj shtëpie do të ngadhënjejë gjithmonë dhe ABC-ja shqipe çdo herë do të përdoret për të dërguar përpara shkencën, arsimin, popullin tonë dhe gjithë njerëzimin”, deklaroi Halili, duke u fokusuar në sulmet që i bëhen këtij muzeu, përfshirë edhe atë të mëngjesit të sotëm kur persona të panjohur thyen derën e hyrjes dhe shkruan ‘Vdekje për shqiptarët’ në të.

Drejtori i Muzeut të Alfabetit Shqip, Nuer Arsllani, tha se anëtarët e Komisionit të Kongresit të Manastirit i realizuan ëndrrat dhe idealin kombëtar shqiptar këtu në Manastir, pasi që para asaj kohe shqiptarët shkruanin me alfabete të huaja.

“Këtu në Manastirin krenar, populli shqiptar u bë i pavdekshëm, u bashkua, u forcua dhe u integrua në të gjithë botën. Po të mos ishin këta atdhetarë që i kemi vendosur këtu në këtë Dhomë Përkujtimore, ne nuk do të kishim alfabet të njësuar, bashkim të shqiptarëve, lëvrim të gjuhës shqipe, zhvillim të letërsisë shqiptare, arsimin, kulturën dhe gjuhën e bukur shqipe”, deklaroi Arsllani.

Nga ana tjetër, zv. Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Halil Hyseni, bëri të ditur se Maqedonia dhe Shqipëria janë duke punuar në një projekt të përbashkët për mirëmbajtjen e këtij muzeu. Ai theksoi se këtë vit u inaugurua Dhoma Përkujtimore e Komisionit të Alfabetit, ndërsa për vitin e ardhshëm do të inaugurohet një tjetër event i sponsorisuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

“Ne shqiptarët përmes këtij kongresi dhe veprimtarëve të tyre sot kemi një alfabet të unifikuar dhe një shenjë dalluese të ADN-së sonë. Nevoja jonë është të shënojmë ditë të tilla, të cilat na kujtojnë se jemi një dhe na sjellin tek deviza e këtij kongresi se një gjuhë të gjithëve na bashkon”, deklaroi Hyseni.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”. (AA)



Lajme të ngjashme