Artisti i famshëm, Bob Dylan, fiton Çmimin Nobel në Letërsi

Bob Dylan, një artist i vërtetë, emri i të cilit nuk i ka rrahur veshët tanë si shkrimtar, por si një legjendë e rokut, rrëmbeu këtë vit çmimin e shumëpritur të Nobelit për Letërsinë...

Artisti i famshëm, Bob Dylan, fiton Çmimin Nobel në Letërsi

Bob Dylan, një artist i vërtetë, emri i të cilit nuk i ka rrahur veshët tanë si shkrimtar, por si një legjendë e rokut, rrëmbeu këtë vit çmimin e shumëpritur të Nobelit për Letërsinë.

Megjithatë Dylan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influence e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij.

Çmimi i lakmuar i dorëzohet pikërisht me këtë argument: “Për krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane.”

I lindur në vitin 1941 si Robert Allen Zimmerman, Bob Dylan e nisi karrierën e tij muzikore më 1959-n duke interpretuar nëpër kafenetë e Minesotës. Vitet ‘60 sjellin bumin e krijimtarisë së tij, një shkëlqim që erdhi bashkë me shndërrimin e këtij njeriu të madh në një historian informal të telasheve të Amerikës.

Këngë si “Blowin in the Wind” dhe “The Times They are A-Changin” u kthyen në himne të kundërluftës dhe të lëvizjeve për të drejtat qytetare.

Emri i kantautorit Bob Dylan ishte lakuar prej kohësh si fitues i mundshëm i Nobelit të Letërsisë, por të paktë ishin ekspertët që mendonin se Akademia Mbretërore Suedeze do ta shtrinte gamën e çmimit prestigjioz edhe në zhanre si muzika folk-rok.

Krahas një diplome dhe një medaljeje ari me profilin e Alfred Nobelit, Bob Dylan fiton dhe një çek prej 8 milionë koronash suedeze, rreth 1 milion euro.

Sakaq, gjiganti i letrave shqipe, Ismail Kadare, edhe pse konsiderohet prej kohësh një kandidat i fuqishëm për këtë nderim të lartë, sërish nuk ka arritur të bëjë të tijin çmimin, që i është afruar disa herë.



Lajme të ngjashme