Mirush Kabashi magjeps Gjenevën me porositë e Sokratit

Aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi ka magjepsur kësaj fundjave publikun në Gjenevë.

Mirush Kabashi magjeps Gjenevën me porositë e Sokratit

I dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi ka rrëfyer si asnjëherë më parë në  “THEÂTRE DE LA MADELEINE” të Gjenevës, satirën  “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” të autorit grek Kostas  Varnalis.

Mjeshtëria e tij e rrallë në interpretimin e  kësaj vepre me monolog, ka magjepsur të pranishmit në sallë.

I veshur me mantelin e grisur  dhe parukën  me flokë  e mjekër të gjatë si dhe me fjalën e tij të pastër, Kabashi  ka ringjallur Sokratin e vërtetë të gati para dymijë e pesëqind vjetëve.

Kjo monodramë e mrekullueshme e nxjerrë nga thellësia e shekujve e bën Kabashin unik në fushën e aktrimit, duke i përcjellë popujve me fuqinë e fjalës, porositë e Sokratit.

Nëpërmjet lojës së Kabashit dalin në pah idetë me vlera të përjetshme të Sokratit kur thotë: “Ata që pretendojnë një shoqëri të civilizuar dhe të njëmendtë duhet të jenë të urtë, të arsimuar dhe të ndershëm”.

Kabashi  falënderoi emigrantët shqiptarë për mikpritjen por edhe miqtë zviceranë që pa hezituar po kontribuojnë në zhvillimin e kulturës shqiptare.

Anthony Pièce udhëheqës i teatrit Madeleine të Gjenevës vlerësoi se “Kabashi është aktor i përmasave ndërkombëtare ishte mysafir i teatrit tonë edhe vitin që shkoi me monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Sikur atëherë ashtu edhe sonte solli kënaqësi të vërtetë artistike. Qartë, vërehet se ai është aktor që të magjeps dhe në çdo çast të bën për vete.”

Profesoresha e pianos  dhe artistja, Ermira Zyrakja u shpreh se aktori Kabashi me lojën e përkryer në teatër e kinematografi  është  dhe mbetet  thesar i çmuar dhe pasuri e pashtershme e kulturës sonë.



Lajme të ngjashme