Lugina e Valbonës, turizëm në çdo stinë

Një nga destinacionet më të frekuentura nga turistët në Shqipëri, Valbona, çeli simbolikisht sezonin turistik veror.

Valbona 1.JPG
Valbona 2.JPG
Valbona 3.JPG
Valbona 4.JPG
Valbona 5.JPG
Valbona 6.JPG

Përmes një ekspozite me fotografi në muzeun e Tropojës, festës me elementë të folkut të krahinës si “Vallja e Tropojës”, e një panairi kulinarie ku u shfaqën prodhimet më të mira, si një nga elementët më të mirë të paketës turistike që ofron kjo zonë, përveç mrekullisë dhe bukurisë që natyra me bujarinë e saj i ka falur, Valbona u uroi mirëseardhjen turistëve.

Pika turistike e Valbonës, me bukuritë e saj dhe jetesën origjinale të komunitetit të kësaj zone, është kthyer së fundmi në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e shumtë të huaj dhe vendas.

Qindra turistë, kryesisht të huaj, udhëtojnë drejt luginës së Valbonës, në Tropojë, në çdo stinë të vitit ku terreni i thepisur, kthjelltësia ujore në të cilën rritet trofta, peshku i shijshëm e karakteristik, e bëjnë atë zonën më të preferuar në veri të Shqipërisë. Më aventurierët ngjiten në male deri në dy mijë metra lartësi, ndërsa të tjerët preferojnë të shëtisin përgjatë bregut të lumit e pranë ujëvarës.

Për të shkuar në Valbonë, turistët lundrojnë me traget nga Komani në Fierzë, e më pas me mjete të tjera mbërrijnë në zonën turistike. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në rrethin e Tropojës, 25 deri 30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Ky park shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh dhe konsiderohet mrekullia e Alpeve shqiptare.

Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.

Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 km. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e paasfaltuar. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushte me shpate të thepisura e Këlsyrës.

Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, më kulla guri 100 e 200 vjeçare, madje dhe më të vjetra. Në fillim të rrjedhës së Valbonës ndodhët një ujëvarë disa dhjetëra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.

Agjencia Kombëtare e Turizmit vuri në dispozicion të të pranishmëve gjithë informacionin e nevojshëm turistik për këtë zonë.


Fjalët Kyçe: Valbona , Tropoja , Bajram Curri , Lumi Drin

Lajme të ngjashme