Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Francë - Ismail Kadare dekorohet "Komandant i Legjionit të Nderit"

Shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, disa herë kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, u dekorua nga vetë Presidenti francez, François Hollande, me medaljen më të lartë të Francës, "Komandant i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit".

Francë - Ismail Kadare dekorohet "Komandant i Legjionit të Nderit"

Shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, disa herë kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, u dekorua nga vetë Presidenti i Francës, François Hollande, me medaljen më të lartë franceze, "Komandant i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit" (Commandeur de l‘Ordre National de la Legion d’Honneur).

Në një ceremoni të posaçme në Pallatin Presidencial “Elysee”, në prani të një rrethi të ngushtë personash të ftuar, ajo që e bëri ende më të rëndësishme dekorimin e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, ishte fakti se presidenti francez zgjodhi t’ja dorëzojë vetë dekoratën shkrimtarit shqiptar ndryshe nga raste të tjera, kur vlerësime të tilla bëhen për disa personalitete njëherësh.

Ai përshëndeti me këtë rast Kadarenë duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit.”

“Ju jeni një avokat i pasionuar i kulturës së Evropës dhe i thashë Kryeministrit: Për fat të mirë ka evropianë që nuk i përkasin Evropës dhe që e duan Evropën”, nisur nga kjo kreu i shtetit bëri pak ironi, në një ceremoni të ndjekur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkruajnë mediat franceze.

“Ju jeni shqiptar dhe flisni frëngjisht, keni zemër evropiane dhe shpirt universal”, vazhdoi François Hollande.

Gjatë ceremonisë së posaçme në Pallatin Presidencial “Elysee” ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si edhe personalitete të larta franceze, anëtarë të kabinetit qeveritar, të asamblesë dhe senatit, ish-presidentë të Francës, apo dhe personalitete të fushës së artit e kulturës.

Vetë ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një intervistë dhënë për televizionin francez, “TV5 MONDE”,  ka folur për kulturën shqiptare dhe impaktin që ka kultura franceze në Shqipëri, sidomos pas viteve 1990.

“Nga pikëpamja kulturore është një vend shumë i fuqishëm, përderisa edhe Kadareja ka dalë nga ky vend. Inva Mula, sporanoja që luan çdo javë, javën e ardhshme do të jetë edhe Ermonela Jaho. Pra ajo që ne eksportojmë si shqiptarë është kultura. Nuk ka nevojë për përkthim të kulturës”, tha Kumbaro.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, uroi për dekorimin e Kadaresë. “Me krijimtarinë e tij, Ismail Kadare, si pakkush, promovoi kulturën, traditën dhe vlerat e popullit shqiptar, duke u shndërruar në prijës të orientimit properëndimor. Një pjesë e botës i njohin shqiptarët përmes rrëfimeve gjeniale të Kadaresë”, shkruan Thaçi.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), “Kronikë në gur” (1970) apo “Prilli i thyer” (1978), janë fiksione të tij nga konteksti i historinë së Shqipërisë, duke bërë denoncimin se totalitarizmi ka pasur një ndikim të rëndësishëm ndërkombëtar. Dekorimi i Kadaresë ka rrëmbyer vëmendjen jo vetëm të mediave shqiptare, por edhe të huaja.

Kadare është dekoruar me Legjioni i Nderit së bashku me një numër të madh gazetarësh e karikaturistësh, të vrarë në sulmin terrorist ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”. Dekorata iu dha edhe heronjve, që arritën të shmangin sulmet terroriste në një tren të linjës Amsterdam-Paris, në gusht të vitit 2015.

Gazetarët Michel Renaud dhe Elsa Cayat; redaktorët e lajmeve, Mustapha Ourrad dhe Bernard Maris; karikaturistët Charb, Cabu, Honore dhe Tignous kanë marrë çmimin pas vdjekjes.

Dekorata u akordura për më shumë se 600 njerëz të fushave të ndryshme si sport, letërsi, aktrim, ekonomi, modë, etj. Në listën e të dekoruarve janë edhe ish-kryeministri Lionel Jospin, ish-ministrat Thierry Breton e Lionel Stoleru.

“Komandanti i Legjioni i Nderit” është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti dhe për herë të parë është dhënë në 15 qershor të vitit 1804.

Më parë Kadare ka mbajtur gradën Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit (Chevalier de l‘Ordre National de la Legion d’Honneur) dhe Zyrtar i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit (Officier de l‘Ordre National de la Legion d’Honneur).



Lajme të ngjashme