Pendimi (tevbe) një mundësi për rimëkëmbje të myslimanit

Sipas botëkuptimit islam mëkat do të thotë shkelja e ndalesave të Allahut.

Pendimi (tevbe) një mundësi për rimëkëmbje të myslimanit

Sipas botëkuptimit islam mëkat do të thotë shkelja e ndalesave të Allahut. Muhammedi (a.s.) mëkatin e përshkruan me këto fjalë: “Mëkati është një gjë që shkatërron njeriun në brendësi pët të cilën nuk do të di askush”. Ndërkaq pendim (tevbe) që do të thotë kthim dhe drejtim nga Allahu, ka kuptim edhe të pendimit për mëkatet e kryera me vetëdije apo pa vetëdije nga ana e myslimanit, ndërsa nënkupton edhe kthimin me qëllim të mospërsëritjes së tyre, orientimi drejt Allahut dhe kërkim falje prej Tij. Në këtë kontekst njeriu kthehet nga mohimi i Allahut në besim, nga rebelimi në bindje, nga mëkati në sevap dhe orientimi nga gabimi në rrugë të drejtë.

Njeriu sipas islamit nuk ka lindur mëkatar, por pranohet se mund të bëj mëkate. Atij i janë treguar rrugët e mbrojtjes dhe shpëtimit nga mëkatet. Prandaj, mosbërja e mëkateve nuk është virtyt i njerëzimit dhe kjo nuk është e mundur. Virtyti i vërtetë është pendimi i individit për shkak të mëkatit që ka bërë. Prandaj Muhammedi (a.s.) në një hadith të tij ka thënë: “Të gjithë njerëzit janë mëkatarë, ndërsa më të mirët mes tyre janë ata që pendohen. Ata që heqin dorë prej mëkatit dhe pendohen janë sikur nuk e kanë bërë atë mëkat”. Duke u nisur nga kjo mund të thuhet se njeriu me pendim pastrohet prej mëkateve dhe është i pastër sikur në ditën kur ka lindur. Ndërkaq në një hadith tjetër i dërguar i Allahut, Muhammedi (a.s.) thotë: “Sikur ju të mos bënit mëkate, atëherë Allahu do të ju shkatërronte juve dhe në vendin tuaj do të krijonte robër të ri të cilët bëjnë mëkate dhe pendohen shumë pas tyre”. Rruga për të shpëtuar nga mëkatet dhe për tu pastruar nga papastërtitë shpirtërore është pendimi. Allahu i Madhërishëm në ajetin e 31-të të sures Nur thërret njerëzit në pendim duke thënë: “...Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin”.

Allahu i Madhërishëm ka lënë portat e pendimit të hapura për njerëzimin. Sado mëkate të ketë, Allahu do të falë robin e tij, i cili pendohet në mënyrë të duhur. Kjo në Kuranin Fisnik është përshkruar kështu: Thuaj: “O robërit e Mi që i keni bërë keq vetes me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha mëkatet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. Prandaj, myslimani nuk humbet dhe nuk duhet të humbet shpresat në mëshirën e Allahut. Në Kuranin Famëlartë, Allahu thotë se do të jetë i kënaqur me robërit e tij dhe se do ti duaj ata. Gjithashtu bëhet e ditur se do të falen mëkatet e vogla të atyre që ruhen nga bërja e mëkateve të mëdha. Në këtë kontekst Allahu në ajetin e 31-të të sures Nisa thotë kështu: “Në qoftë se ju u shmangeni mëkateve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar”.

Sipas kësaj pendimi i myslimanit për mëkatet është një obligim fetar. Dijetarët islam kanë thënë se pendimi (tevbe) është detyrim (farz) për të gjithë dhe kjo vazhdon për deri sa të jemi në këtë botë. Ashtu si nuk ka nevojë për ndërmjetësues për pendim, ashtu nuk ka ndonjë vend dhe kohë të caktuar për tu penduar. Njeriu duhet të pendohet pa humbur kohë para se ti vijë vdekja, sepse pendimi në momentin e vdekjes nuk është i vlefshëm.

Sipas botëkuptimit islam mëkatet ndahen në dy pjesë, mëkatet në lidhje me të drejtën e Allahut dhe mëkatet në lidhje me të drejtën e njerëzve. Ndërkaq janë disa kushte për pranimin e pendimit për këto lloj mëkatesh. Për të bërë pendimin për mëkatet në lidhje me të drejtën e Allahut duhet pendim i sinqertë për atë mëkat, të largohet në mënyrë të prerë dhe të vendoset për mos e përsëritur. Ndërkaq kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, atëherë përveç këtyre që përmendëm më lartë, duhet që ti kthehet e drejta personit, të cilit i është bërë padrejtë dhe të kërkohet hallalli. Këto janë mënyra të përshtatshme për pendim.

Përveç të qenit një krim i njerëzimit, bërja e mëkateve për një mysliman është krim dhe një fenomen që ndotë njeriun. Në lidhje me këtë Profeti Muhammed (a.s.) ka thënë: “Kur një besimtar e bën një mëkat, atëherë i formohet një njollë e zezë në zemër. Në qoftë se pendohet, largohet nga mëkati dhe kërkon falje prej Allahut, atëherë shpëton nga kjo njollë, por nëse rritet mëkati do të rritet edhe njolla”. Në këtë mënyrë Profeti (a.s.) tërhoq vëmendjen në dëmin që do të shkaktoj mëkati në zemrën e një besimtari që është edhe qendra e jetës shpirtërore dhe se ky dëm do të mund të riparohet vetëm me pendim. Prandaj kur një mysliman bën ndonjë mëkat ai duhet të vihet në veprim menjëherë dhe të mundohet të mënjanoj pakënaqësitë mes Allahut dhe njerëzve, ndërsa thelbi i pendimit është të mundohet për këtë pendim.

Nuk bëhet fjalë për një kohë apo vend të caktuar për tu penduar. Por, bëhet e ditur se pendimi i bërë pas veprave të mira të kryera për të fituar kënaqësinë e Allahut si falja e namazit, agjërimi dhe zeqati dhe në kohën para lindjes së diellit, ditët e xhumasë dhe të bajramit, do të pranohen më shumë. Ndërkaq thuhet se edhe vendet si Arafati, Qabeja dhe xhamia e Profetit Muhammed (a.s.) janë vende më të përshtatshme për pendim. Për të bërë një pendim të sinqertë njeriu duhet të qëroj hesapet me veten e tij dhe duhet të bëjë përpjekje. Në këtë mënyrë fitohet rasti që një situatë të tillë negative ta kthejë në shpërblim dhe virtyt. Një pendim i tillë mundëson që njeriu të drejtohet sërish drejt Allahut, të forcoj besimin, të lidhet sërish pas jetës dhe të mos e humbet shpresën.



Lajme të ngjashme