Rëndësia e llogaridhënies së brendshme për myslimanët

Nefsi (epshi), siç e ka kuptimin e shpirtit dhe jetës, ashtu nënkupton edhe epshet e këqija dhe të pavlefshme trupore të quajtura “heva” dhe “heves”.

Rëndësia e llogaridhënies së brendshme për myslimanët

Nefsi (epshi), siç e ka kuptimin e shpirtit dhe jetës, ashtu nënkupton edhe epshet e këqija dhe të pavlefshme trupore të quajtura “heva” dhe “heves”. Në traditën islame nefsi më shumë përdoret në kuptimin e burimit të të këqijave brenda njeriut, të dëshirave të ndaluara. Për këtë arsye lufta kundër nefsit është një llogaridhënie e brendshme dhe është i rëndësisë jetike për jetën e myslimanit.

 

Sipas Kuranit Fisnik, nefsi është i hapur ndaj vesveseve të shejtanit dhe njeriut i jep vesvese për të shkaktuar disa dëme njerëzve të tjerë. Siç thuhet në ajetin e 16-të të sures Kaf: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’ pëshpërit ai në vetvete...” dhe në ajetin e 128 të sures Nisa: “Megjithë këtë, koprracia është e pranishme ndër njerëz...” edhe në ajetin e 53-të të sures Jusuf thuhet se “...epshi është shumë nxitës për të keqen...”. Me këto ajete kuranore vihen në pah tendencat e nefsit (epshit). Lajmet në lidhje me vrasjen e njërit të djemve të Hz. Ademit nga ana të vëllait të tij dhe hedhja e Hz. Jusufit në pus nga ana e të bijve të Hz. Jakupit që përcjell Kurani janë tregues më i mirë se sa larg mund të çoj njeriun epshi dhe se askush nuk është i mbrojtur prej tij. Por, siç thotë edhe Muhammedi (a.s.) “Njeriu nuk mbahet përgjegjës nëse nuk i kryen dëshirat e këqija të dala nga vesvesja dhe epshi”.  

 

Sipas botëkuptimit islam njeriu do të japë llogari në botën tjetër për çdo moment të jetës së tij dhe për tërë begatinë që i është dhënë. Për shkak të botëkuptimit të sprovave, njeriu duhet që çdoherë të bëjë llogari të brendshme. Bërja e llogarisë së brendshme vazhdimisht quhet llogaria e epshit. Një mysliman i vetëdijshëm duhet ti rishikojë shpesh gjërat që i bën dhe të bëjnë një autokritikë. Si rezultat i kësaj ai falënderon Allahun për veprat e mira, ndërsa për veprat e këqija ai pendohet dhe kërkon falje, duke u përpjekur për ta përmirësuar veten e tij. Prandaj, kjo llogari është një përpjekje e rëndësishme e cila ndihmon frenimin e ndjenjave të këqija të zgjuara me epshin dhe bëhet shkak që myslimani të jetë një person i sinqertë dhe i drejtë. Allahu i Madhërishëm në ajetin e 9-10 të sures Shems të Kuranit Famëlartë ka thënë: “Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”. Pastrimi i epshit, largimi nga veprat e këqija kryhet me anë të moralit të mirë dhe bërjen e veprave të mira. Për të arritur këtë është e nevojshme që epshi shpesh të vihet në llogari. Hz. Omerit në lidhje me këtë ka thënë: “Merrni vetën në pyetje para se të jepni llogari dhe përgatisni vetën tuaj për ditën e llogaridhënies. Sepse llogaridhënia në këtë botë është më e lehtë për ata të cilët kanë bërë llogari deri sa ishin në këtë botë”. Këto fjalë të Hz. Omerit paraqesin qartë këtë gjendje. Kjo llogari shikohet si thelbi i çdo lloj llogarie që do të jepet në rrugën e Allahut.

 

Sipas botëkuptimit islam epshi nuk është një krijesë e ndarë prej njeriut. Prandaj, lufta me epshin nënkupton luftën dhe sprovat e njeriut me vetveten, lakminë, dhe me dëshirat e pafundme. Muhammedi (a.s.) në një hadith të tij duke thënë se: “Njeriu i mençur është ai, i cili ballafaqohet dhe mbizotëron epshin e tij dhe që punon për botën tjetër pas vdekjes. Ndërsa njeriu i dobët është ai që plotëson çdo dëshirë dhe kërkesë të epshit dhe që krahas kësaj shpreson në të mirat e Allahut”, ka vënë theksin në nevojën për të qenë të mençur në këtë luftë.

 

Profeti Muhammed (a.s.) ka thënë se epshi vepron sipas frymëzimit të ardhur nga djalli (shejtani) ose nga engjëjt (melaqet). Jetën e kësaj bote shejtani i paraqet njeriut të zbukuruar. Njeriut i bën sugjerime tërheqëse për të shijuar jetën e kësaj bote. Ndërkaq engjëjt e frymëzojnë për të menduar për pasojat e gjërave që do të bëjë dhe e ftojnë në bërjen e llogarisë. Duke i përkujtuar myslimanëve pasojat e këtyre frymëzimeve Muhammedi (a.s.) ka thënë: “Ferri (xhehenemi) është i mbushur me gjëra që i pëlqejnë epshit (nefsit); parajsa (xheneti) është i mbushur me vështirësi të cilat nuk i pëlqejnë epshit”. Kjo këshillë është njëra prej kritereve dhe vlerave më të rëndësishme që duhet patur parasysh gjatë bërjes së llogarisë së brendshme.

 

Bërja e llogarisë së brendshme për një mysliman ndihmon që ai të rikujtoj veten, detyrën dhe përgjegjësitë, të rishikojnë rrugën e përshkuar drejtë botës së amshuar (ahiretit) dhe bëhet shkak i vlerësimit të gjendjes. Bërja e llogarisë së brendshme mund të mos i pëlqej epshit (nefsit). Sepse kjo kërkon të rikujtohet vdekja, lënia mënjanë të disa kënaqësive, të sfidohen përpjekjet e vështira dhe shtimin e përpjekjeve. Jeta tërheqëse e kësaj bote, përkushtimi pas pasurisë dhe dëshirat e epshit bëjnë që njeriu të harrojë detyrimet e tij, llogaridhënien në botën e amshuar (ahiret) dhe Allahun. Në të vërtet bën që njeriu të harrojë detyrat e të qenit njeri, thënë ndryshe bën që ai ta harrojë veten e tij. Allahu i Madhërishëm në ajetin e 19-të të sures Hashr në lidhje me këtë na tërheq vëmendjen duke thënë: “E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit”.

 

Bërja e llogarisë së brendshme mundëson që myslimani ti kontrollojë dëshirat, lakmitë dhe sjelljet e tij. Gjithashtu ndihmon në dallimin e të drejtës dhe të gabuarës, ndihmon në riorientimin e ndjenjave negative të epshit në rrugën e dobishme. Thënë shkurt, bërja e llogarisë së brendshme është një udhërrëfyes i vlefshëm që ndihmon myslimanin të arrijë qëllimin.



Lajme të ngjashme