Ekspozita “Zanatlitë” në Kosovë dokumenton zejet shqiptare që po zhduken

Qendra Kulturore e BE në Prishtinë ka hapur dje ekspozitën e Arben Llapashticës, e quajtur “Zanatlitë”, me fotografi të qytetarëve shqiptarë që ende praktikojnë zanate, të cilat me ardhjen e teknologjive të reja ngadalë po shkojnë drejt zhdukjes.

471370
Ekspozita “Zanatlitë” në Kosovë dokumenton zejet shqiptare që po zhduken

Në ekspozitë pati shumë të interesuar për t'i parë këto fotografi, shumica prej të cilëve u shprehën të kënaqur me fotografitë e realizuara nga Arben Llapashtica.

Arben Llapashtica, i cili me anë të fotografive të tij paraqiti një realitet të hidhur për zhdukjen e zanateve qindravjeçare shqiptare, tha se kjo ka eksperiencë ka qenë e veçantë për të. Ai beson se me anë të këtyre fotografive ka arritur që të ndihmojë sadopak që të dokumentojë zanatet në zhdukje.

“Vërtetë ka qenë një eksperiencë e veçantë me qenë pjesë e këtij procesi gjatë fotografimit të këtyre zanatave. Siç po i shihni edhe nga fotografitë janë kryesisht zanate në zhdukje, dhe do të doja të mos ndodh kjo. Falënderoj secilin që ka ardhur sot në ekspozitë, po i shoh disa fytyra nga Gjakova….këto janë fotografitë dhe besoj që sadopak kemi arritur që së paku edhe zanatlive t'u ndihmojmë në këtë aspekt, e në njëfarë forme edhe t'i dokumentojmë punët e tyre – e, edhe nëse zhduken një ditë mbesin disa fotografi….Mendoj ta vazhdojë këtë projekt edhe më tutje, sepse më kanë lënë përshtypje”, tha Lllapashtica.

Ndërsa, profesori i fotografisë, Faredin Spahiu tha se Arben Llapashtica radhitet në grupin e fotografëve të cilët punojnë në heshtje dhe me punën e tyre të palodhshme kontribuojnë në artin fotografik. Që këto zanate tek shqiptarët janë në zhdukje e pohoi edhe Spahiu, i cili tha se me anë të kësaj ekspozite shpreson se do të nxitet dashuria për këto zeje të rralla tek të rinjtë tanë.

“Ekspozita që u bë shkak i parkimit tonë këtu, është një tjetër projekt i veçantë në të cilin Arben LLapashtica dëshmon për artin e tij fotografik. Edhe pse në shikim të parë këto imazhe na duken më shumë si një dokumentim i gjendjes në të cilën janë zejet si vlerë e pakontestueshme kulturore të ambientit ku jetojmë – në secilën fotografi rreth e rreth ne gjejmë elemente të bollshme kompozicionale që atyre u japin edhe dimensionin estetik dhe artistik. Unë përgëzoj nga zemra punën shumë të pëlqyer nga Arbeni, e cila na shpërfaqet në këtë ekspozitë dhe e cila, përveç funksionit dokumentuar dhe artistik, ka edhe një tjetër qëllim, nxitjen dhe rritjen e dashurisë të këtyre zejeve të rralla tek gjeneratat e reja”, tha ai.

Zanate të shumta të cilat shqiptarët i kishin praktikuar për një kohë të gjatë nga koha e Ilirëve e deri tani janë në zhdukje. Kjo ka bërë që Arben Llapashtica i përkrahur nga Qendra Kulturore e Bashkimit Evropian t'i ndjek këto zanate tek popullata shqiptare dhe ti fotografojë ato, duke i sjell të gjitha në një vend.



Lajme të ngjashme