Këshilli Mysliman i Britanisë organizoi aktivitetin “Dita e vizitës së xhamisë sime”

Kjo ngjarje tejet interesante tërhoqi vëmendje të madhe jo vetëm në Britani të Madhe, por edhe më gjerë.

Këshilli Mysliman i Britanisë organizoi aktivitetin “Dita e vizitës së xhamisë sime”

Myslimanët britanikë këtë fundjavë në mbarë Britaninë e Madhe organizuan dyer të hapura për jomyslimanët me qëllim të forcimit të dialogut dhe solidaritetit ndërfetar.

Kjo ngjarje tejet interesante, e cila tërhoqi vëmendje të madhe jo vetëm në Britani të Madhe, por edhe më gjerë, mbahet nën emrin “Dita e vizitës së xhamisë sime”.

Myslimanët me këtë rast të gjithë vizitorëve të xhamisë, si myslimanëve po ashtu edhe jomuslimanëve, u ofrojnë çaj, njihen me njëri-tjetrin dhe bashkërisht shikojnë brendësinë e faltores. Mbi 80 xhami në Britani të Madhe i janë bashkangjitur nismës në mënyrë që, siç porositën organizatorët, të gjithë të interesuarve t'u sqarohet feja islame.

Përfaqësuesit myslimanë në Britaninë e Madhe theksuan se qëllimi parësor i kësaj nisme është që të paktën të hiqen sadopak perceptimet negative ndaj Islamit dhe të informohen njerëzit për fenë e cili, siç theksuan, promovon paqen, bashkëpunimin, tolerancën dhe dialogun.

Kjo ngjarje me titull “Dita e vizitës së xhamisë sime” mbahet në organizim të Këshillit Mysliman të Britanisë (MCM). Një ngjarje e ngjashme është mbajtur edhe vitin e kaluar kur kësaj thirrjeje iu përgjigjën rreth 20 xhami.

Atëherë një numër i madh i jomyslimanëve vizituan xhamitë në mbarë vendin ku, me çaj dhe kafe të ngrohtë, u pritën pjesëtarët e feve dhe botëkuptimeve të ndryshme. Sivjet thirrjes i janë përgjigjur xhamitë e të gjitha qyteteve të mëdha siç janë Londra, Birmingham, Manchester, Leeds, Glasgow, Cardiff, Plymouth, Canterbury, etj.

Përfaqësuesit e myslimanëve britanikë nëpër xhamitë do të flasin për bazat e Islamit, ndërsa vizitorët do të kenë rastin që të shohin besimtarët teksa kryejnë lutjet, dhe do të njihen edhe me aktivitetet shoqërore që bëhen brenda faltores myslimane.

“Xhamitë lokale u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të të gjitha feve, prej të cilëve pritet që bashkërisht të tregojnë unitet dhe solidaritet në kohë shumë të tensionuar për bashkësitë fetare”, theksuan nga Këshilli Mysliman i Britanisë.

Në Britaninë e Madhe në vitin 2015 është regjistruar rritje e madhe e incidenteve lidhur me ndjenjat anti-myslimane. Sipas të dhënave të policisë britanike , numri i veprave penale të nxitura nga islamofobia vitin e kaluar është rritur për 70 përqind. Sipas regjistrimit të popullatës të vitit 2011, në Britani të Madhe jetojnë rreth 2.7 milionë myslimanë, që paraqet rreth 4.5 përqind e popullatës së përgjithshme të këtij vendi.



Lajme të ngjashme