Shkup-Hapet ekspozita ekskluzive e Picassos

Shkupi, nga 19 shkurti do të jetë mikpritës i një eventi ekskluziv nga fusha e artit vizual.

427012
Shkup-Hapet ekspozita ekskluzive e Picassos

Kryeqendra e Republikës së Maqedonisë, Shkupi, nga 19 shkurti do të jetë mikpritës i një eventi ekskluziv nga fusha e artit vizual. Qytetarëve dhe të pasionuarve të artit do t'iu prezantohen veprat e njërit prej piktorëve më të famshëm në historinë e këtij arti, Pablo Picasso, në ekspozitën e organizuar nga Qendra Kulturore për të Rinj dhe galeria Viskonti nga Lubjana.

Ministrja e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska-Milevska, duke shpalosur detajet për ekspozitën në fjalë, tha se veprat përfshijnë diapazonin e punës dyzetvjeçare të Picassos, që njëherësh paraqet përmbledhje ekskluzive të 46 veprave të autorit me famë botërore. Sipas saj kjo do të mundësojë njohjen nga afër me mjeshtërinë dhe pasurinë e formës së Picasos.

Milevska informoi se nga viti 1965 Republika e Maqedonisë posedon një vepër të Pablo Picassos e cila është e vendosur në Muzeun për Art Bashkëkohor, "Koka e Gruas", vepër kjo e cila pas rikonstruksionit të muzeut në vitin 2014 sërish është ekspozuar për publikun.

"Jam e bindur se kjo ekspozitë, të drejtat e së cilës i ka galeria Viskonti nga Lubjana e Sllovenisë, do të paraqesë një kënaqësi vizuale për qytetarët të cilët ndjenjë nevojën për të kënaqur dëshirat e tyre kulturore"- tha Milevska. Ajo ka theksuar se ky lloj i ekspozitave të karakterit botëror pasurojnë jetën kulturore të vendit.

Drejtori i Qendrës Kulturore për të Rinj, Zllatko Stevkovski njoftoi se qendra do të jetë e hapur nga data 19 shkurt deri më 16 mars dhe hyrja do të jetë falas. Kjo përmbledhje ekskluzive e 46 veprave është e ndarë në tre harta: Flauta e Dyfishtë, Flora dhe Fauna nga Antibi dhe vizatimet e Picassos.



Lajme të ngjashme