"In Memoria", respekti për Ansamblin Artistik të Ushtrisë

Një koncert në nderim të Ansamblit Artistik të Ushtrisë iu kushtua figurave të shquara pjesë e këtij ansambli.

"In Memoria", respekti për Ansamblin Artistik të Ushtrisë

Koncerti solli në kujtesë të të pranishmëve në sallë figurat e njohura themeluese të Ansamblit, si dhe figurat e artistëve të mëdhenj të ndarë tashmë nga jeta si, Gaqo Avrazi, Kujtim Laro, Vaçe Zela, Mentor Xhemali, Pandi Zguro, Tonin Tërshana etj.

Në aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA, ish-drejtues artistikë dhe ish-artistë të Ansamblit të Ushtrisë, veteranë të luftës, artëdashës të kryeqytetit etj.

Koncerti përkujtimor u drejtua nga prezantuesja ikonë e Ansamblit të Ushtrisë, Flutura Çangu, e kthyer në skenë pas 23 vjetësh, pikërisht për këtë aktivitet. Ashtu si në të shkuarën kur Ansambli i Ushtrisë ngrinte peshë zemrat e të gjithë të pranishmëve në sallë, edhe në këtë shfaqje, numrat artistikë të përzgjedhur ishin të një niveli tepër të lartë.

U krithyen në skenë, në logon e FA, emrat e njohur të muzikës si, Arta Babaramo, Zina Zdrava, Sokol Tomorri, e deri tek talenti më i vogël, i dalë nga radhët e grupeve kulturore të QKMBMMSHP, Klajdi Milla.

I ftuar nderi në shfaqje ishte edhe një tjetër figurë ikonë e artit shqiptar, vilionisti virtuoz Ethem Qerimi, një instrumentist që ka qenë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, ndau me pjesëmarrësit emocionet e saj lidhur me një epokë, të cilën ajo e cilësoi si epoka e lavdishme e të gjithë trashëgimisë kulturore që na la Ansambli Artistik i Ushtrisë. “Sot jetojmë në një epokë me një tjetër liri krijimtarie, në një tjetër natyrë performimi. Besoj që njerëzit e brezit tim apo më të mëdhenj se unë vazhdojnë të mbeten nostalgjikë të asaj çka artistët, përtej kushteve të vështira, realizuan jo vetëm në karrierën e tyre profesionale, por edhe transmetuan dhe na rritën ne me ndjenjën e atdhedashurisë”, tha Kodheli.

Më tej, ministrja Kodheli vleresoi këtë aktivitet dhe kujtoi punën dhe veprën e jashtëzakonshme të artistëve të këtij ansambli, duke filluar që nga i madhi kompozitori Çesk Zadeja, Tish Daija, Kujtim Laro, e duke vazhduar me të madhen Vaçe Zela e deri tek i sapondari nga jeta, Tonin Tërshana, si dhe shumë artistë, valltarë, kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, aktorë, regjizorë, skenaristë, të cilët ishin pjesë e kësaj epoke.

Ansambli Artistik i Ushtrisë u krijua më 25 korrik 1944 në Lavdar të Korcës, nga radhët paritzanëve të Ushtrisë Nacional-Clirimtare. Artisti i Popullit, Gaqo Avrazi, është krijuesi i këtij institucioni artistik që do të shërbente më vonë si bazë për krijimin edhe të institucioneve të tjera artistike kombëtare në vend si, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore etj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme