Liban - Çelet ekspozita me fermanë otomanë

Një ekspozitë me fermanë otomanë është çelur sot në kryeqytetin Bejrut të Libanit.

363082
Liban - Çelet ekspozita me fermanë otomanë

Pjesë e kësaj ekspozite interesante, në hapjen e të cilës morën pjesë ambasadori i Turqisë në Bejrut, Çagatay Erciyes dhe shumë të ftuar, janë plot 42 fotografi të dokumenteve të shkruara nga periudha të ndryshme të Perandorisë Osmane, si fermanë, patenta (dokument autorësie – shënim i përkthyesit), certifikata dhe pakte të llojllojshme.

Siç bëjnë të ditur kuratorët, shumica e eksponateve janë përzgjedhur në mesin e dokumenteve të leshura gjatë periudhës së Sulltan Selimit III dhe Sulltan Mahmudit II, në lidhje me objektet arkitekturore dhe emërimet e valinjve në vilajetet e Sirisë, Damaskut, Halepit, Jerusalemit dhe Libanit.

“Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që kjo ekspozitë u hap këtu, në Bejrut. Interesimi për çeljen e saj ishte mjaft i lartë. Aktivitete të ngjashme me këtë do të ketë edhe në vijim. Kam bindjen se të tilla aktivitete do të japin një kontribut madhor për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy vendeve tona”, deklaroi në fjalën e rastit ambasadori turk në Bejrut, Çagatay Erciyes, duke theksuar se ekspozita e fermanëve otomanë është shumë e rëndësishme për promovimin e Turqisë.

Të pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite ishin një grup i madh turkmenësh me banim në Liban, kursantë dhe mësues të Qendrës Kulturore “Yunus Emre” në Bejrut, si dhe shumë përfaqësues të misioneve diplomatike në këtë vend.

Ekspozita do të mund të vizitohet deri të premten, më datë 18 dhjetor.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme