Gjermani - Bëhet film historia e organizatës raciste, NSU
Kinematografia gjermane po përgatitet të jetësojë një realizim të diskutueshëm.
E kaluara e organizatës raciste terroriste, Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU), që akuzohet për vrasjen në Gjermani të 10 personave, nga të cilët 8 turq, do të shndërrohet në film.
Temë e filmit do të jetë historia e tre neonazistëve, të cilët themelojnë një organizatë terroriste, bëjnë grabitje, vrasin njerëz të pafajshëm dhe organizojnë sulme me bomba në vitet ’90.
Në film do të trajtohen gjithashtu procesi i kapjes dhe arrestimit të anëtarëve të organizatës, si dhe lufta e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani (BfV) kundër ekstremit të djathtë.
Siç bëjnë të ditur producentët Oliver Berben dhe Martin Moszkowicz, të cilët kanë marrë përsipër realizimin e filmit, lista e aktorëve është ende e paqartë.
Në procesin gjyqësor kundër NSU-së, që vijon prej gati 2 vitesh në Gjykatën e Lartë Federale të Mynihut, e pandehura kryesore Beate Zschape dhe katër të tjerë akuzohen si bashkëpunëtorë në disa krime, sulme me bomba dhe grabitje të bankave.