Çmimi Nansen e OKB-së për mësuesen afgane, Aqeela Asifi

Një mësuese afgane është nderuar me Çmimin e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Çmimi Nansen i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët i është dhënë Aqeela Asifit, me motivin për edukimin e vajzave afgane në statusin e refugjatit.

Çmimi Nansen e OKB-së për mësuesen afgane, Aqeela Asifi

“Mendoni një grua, që ka zgjedhur të bëhet mësuese në një shoqëri, ku është tabu edhe përmendja e emrit të gruas. Pavarësisht të gjitha kushteve negative të mundshme, ajo ia ka kushtuar jetën e saj edukimit dhe arsimimit të vajzave. Ja pra, kjo mësuese është Aqeela Asifi...”

Me këto fjalë, komisari i lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, ka ftuar në skenë mësuesen Aqeela Asifi për dorëzimin e Çmimit Nansen.

E arratisur nga lufta në Afganistan dhe e vendosur në Pakistan në vitin 1992, Asifi punon me mish e shpirt për edukimin e vajzave refugjate në këtë vend.

Rreth 90 për qind e grave afgane nuk dinë as shkrim e as këndim.

Shumica dërrmuese e vajzave afgane nuk mund të arsimohet dot, edhe pse ky është një element bazë për një standard jetese mesatare.

Pikërisht për nismën e saj, që synon thyerjen e këtij rrethi vicioz, Aqeela Asifi është vlerësuar me Çmimin Nansen të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

Më parë, me Çmimin Nanses, që u atribuohet personave dhe grupeve përkrahëse të emigrantëve dhe refugjatëve, janë vlerësuar gjithashtu emra të famshëm si Eleanor Roosevelt, Graça Machel dhe Luciano Pavarotti.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme