Ulqin - Çelet sot Panairi i 15-të i Librit

Instituti i Librit dhe i Promovimit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, në datat 26 korrik - 4 gusht.

Ulqin - Çelet sot Panairi i 15-të i Librit

Panairi i sivjetmë realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie, që pritet me shumë interes nga pushuesit në Ulqin gjatë këtij sezoni.

Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.

Do të jenë ata, që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit ballkanik dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.

Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3.500 tituj librash. Para së gjithash, letërsi artistike të autorëve nga Shqipëria e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh, etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj.

Në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit në Ulqin do të marrin pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, Kryetari i Kuvendit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Kulturës të Malit të Zi, Pavle Goranoviç dhe ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala. Mbrëmja e ditës së dytë të panairit do t’i kushtohet veprës së shkrimtarëve Fatos Kongoli dhe Gjergj Gjokaj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme