Shqipëri - Inaugurohet hamami i restauruar i Kalasë së Krujës

Pas një pune 26-mujore dhe një investimi prej 84.000 eurosh, qytetit mesjetar të Krujës i është rikthyer të mërkurën Hamami i Kalasë, monument kulture i kategorisë së parë dhe një atraksion turistik potencial.

Shqipëri - Inaugurohet hamami i restauruar i Kalasë së Krujës

Fondacioni suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Albania), në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturë dhe me financim nga qeveria suedeze, inauguroi të mërkurën hamamin e restauruar të Kalasë së Krujës, një ndër më të vjetrit e llojit të vet në Shqipëri.

Procesi i restaurimit përfshiu edhe rigjallërimin e hamamit, duke e bërë një nga të parët hamame tradicionale funksionale në Ballkan dhe duke hapur kështu rrugën për zhvillimin e një rrjeti më të madh vendesh të trashëgimisë kulturore, që ofrojnë shërbime.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, organizuar pasditen e së mërkurës, ishin ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, i Ngarkuari me Punë i Qeverisë Suedeze, Patrik Svensson, kreu i zyrës "CHwB Albania", Lejla Hadzic dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal dhe qendror.

Ministrja Kumbaro, në fjalën e saj theksoi se “është fantastik ky projekt, sepse jo vetëm ka shpëtuar monumentin si i tillë, por e risjell në jetë për të gjitha kënaqësitë e të parëve, por edhe si një burim të ardhurash, rritje të turizmit dhe të plotësimit të një itinerari turistik të pasur për Krujen”.

Gjatë fjalës së saj, Hadzic theksoi se “puna me trashëgiminë është sfiduese dhe mendojnë se ka rëndësi që ajo të ketë peshë në jetët e njerëzve, pasi rashëgimia kulturore është një bazë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik dhe ky është një shembull”.

I Ngarkuari me Punë i Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson, ishte personi, i cili, në mënyrë simbolike, dorëzoi te ministrja Kumbaro hamamin e inauguruar. Gjatë fjalës së tij, Svenson vuri në dukje se “trashëgimia kulturore, aq e rëndësishme sa mund të jetë për një komb, mund të jetë edhe një urë për zhvillimin ekonomik, nëpërmjet turizmit, sepse turizmi, duke qënë një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, mund të zhvillohet më shumë nëpërmjet restaurimit, ruajtjes dhe rigjallërimit të trashëgimisë kulturore”.

Hamami i Krujës, i ndërtuar gjatë fundit të shekullit të XV, i përket periudhës osmane dhe është një ndër shtatë hamamet, që gjenden sot në Shqipëri. Për restaurimi e tij janë përdorur teknika dhe materiale origjinale, ndërsa transporti i materialeve nga fundi i rrugës, në skajin e sipërm të kalasë, në hamam është bërë manualisht. E bardha e vezës në suva gëlqereje, pluhuri i tullës (gëlqere e kuqe) dhe përzierja e qeramikës me gëlqeren e shtruar nën tjegullat e kuqe në kupolat dhe çati, sigurojnë të ardhmen e këtij monumenti të vjetër të kategorisë së parë. Inaugurimi i Hamamit të Kalasë së Krujës është kremtimi i 14 muaj pune restauruese, 12 muaj pune dokumentuese e studimore dhe dedikimit të 20 specialistëve, punëtorëve dhe zejtarëve, që kanë kontribuuar në rikthimin në jetë të këtij monumenti.

Objektivat e "CHwB Albania" në këtë projekt restaurimi dhe rigjallërimi përfshinin zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerim të ardhurash, si dhe restaurimin dhe rikthimin e funksionit fillestar të monumentit.

Rikthimi i Hamamit të Kalasë së Krujës në gjendje funksionale do të nxisë rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal, rijetëzimin e lagjes përreth, rritjen e turizmit dhe fillimin e një nisme më të gjerë për ngritjen e një rrjeti kombëtar të hamameve.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme