Prishtinë - Sot çelet Panairi i Librit me 100 shtëpi botuese

Rreth 100 shtëpi botuese do të marrin pjesë në edicionin e 17-të të Panairit të Librit, që do të hapet sot në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Prishtinë - Sot çelet Panairi i Librit me 100 shtëpi botuese

Në panairin, i cili do të rri i hapur deri në 7 qeshor, do të organizohen një sërë aktivitetesh, që përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), Besian Zeneli tha se “gjithçka është gati për 2 qershorin, kur edhe do të jetë hapja e panairit të 17-të me radhë të librit”.

“Promovime të librave do të ketë çdo ditë, do të jenë 7 deri në 10 promovime në ditë. Zakonisht për promovime agjenda është që një ditë më herët të promovohet për të nesërmen, për shkak se pjesa më e madhe e botuesve dhe autorëve nuk e dinë ende gjendjen e tyre. Për të qenë më korrekt atëherë kemi menduar që një ditë më herët të bëhet promovimi i librave. Kemi menduar që të bëhet promovimi gjatë ditës që të shpërndahet në media, që lexuesit të informohen dhe të nesërmen të mund ta gjejnë librin e caktuar”, thotë Zeneli.

SHBK-ja po ashtu ka parashikuar darkën solemne më 6 qershor në Hotel "Prishtina", ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital; si dhe do të shpallen Shkrimtari i Vitit (letërsi shqipe), Shkrimtari i Vitit (letërsi e huaj) dhe Stenda më e Vizituar.

Në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora, numri i titujve të rinj janë rreth 1.100, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4.000. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë; studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme