Mbyllet ekspozita e 5 piktorëve shqiptarë në Kuvajt

Ambasada shqiptare në Kuvajt, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Kulturën, Artet dhe Letrat të Kuvajtit (NCCAL) dhe Galerinë e Arteve të Shqipërisë çelën sot ekspozitën me titull "Refleksione nga Shqipëria".

Mbyllet ekspozita e 5 piktorëve shqiptarë në Kuvajt

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Muzeun e Arteve Moderne të Kuvajtit morën pjesë qytetarë, dashamirës të artit, përfaqësues të biznesit kuvajtian, medias, komunitetit shqiptar në Kuvajt, etj. Në ekspozitën, e cila qëndroi e hapur nga data 11 deri më 17 janar, ishin të pranishëm me punimet e tyre piktorët Shyqyri Sako, Ardian Isufi, Dhimitër Theodhori, Fani Zguro dhe Gazmend Leka.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, si kurator i ekspozitës tha se përzgjedhja e piktorëve pjesëmarrës u mbështet në disa pika të rëndësishme të mjedisit artistik dhe ndikimit të tyre, si ndaj publikut vendas ashtu edhe ndaj atij të huaj.

Ai theksoi se rëndësia e kësaj ekspozite lidhet ngushtësisht me promovimin e artit shqiptar në mjedise të vendeve me potencial ekonomik të zhvilluar, sikurse edhe me rëndësi politike të afirmuar dhe kulturë tjetër botërore.

Dhe kjo kukturë, sipas tij, shërben për të lidhur urat e komunikimit midis popujve dhe dy vendeve.

Sekretari i përgjithshëm i NCCAL-së, Ali Johua, në hapjen e ekspozitës, u shpreh i kënaqur për prezantimin e punimeve të artistëve shqiptarë.

Ai theksoi se këta artistë shqiptarë janë të mirënjohur për kontributet e tyre në art me teknika të ndryshme, duke filluar nga kostumografia, grafika, filmat, vizatimet, etj.

Sipas tij, kjo ekspozitë do të kontribuojë në një ndërveprim më të mirë ndërmjet Shqipërisë e Kuvajtit dhe popujve të dy vendeve.

Ambasadori i Shqiperisë në Kuvajt, Kujtim Morina, shprehu vlerësimin e lartë për Ministrinë e Informacionit të Kuvajtit dhe Këshillin Kombëtar për Kulturën, Artet dhe Letrat, që mbështetën këtë projekt. Morina e konsideroi ekspozitën si një kolazh, që përfshin elementë të rëndësishëm të pikturës shqiptare tradicionale dhe moderne.

Në hapjen e ekspozitës ishin të pranishëm edhe disa piktorë e skulptorë kuvajtianë, veprat e të cilëve janë të ekspozuara në Muzeun e Arteve Moderne në Kuvajt dhe u bë një bashkëbisedim mes artistëve të dy vendeve për teknikat në përdorim si dhe klimën e artit në të dyja vendet.

Gjithashtu u hodh ideja e ekspozimit të punimeve të piktorëve kuvajtianë edhe në Shqipëri.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme