Fest Film Kosova - "Hyjnesha në Fron" mbyllet me ndarje çmimesh

Filmi me metrazh të gjatë nga Çekia ‘In Silence’, i regjisorit Zdenek Jirasky, ka fituar tri çmime në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit pesëditor të filmit “Fest Film Kosova Hyjnesha në Fron”.

Fest Film Kosova - "Hyjnesha në Fron" mbyllet me ndarje çmimesh

Nga filmat e metrazhit të gjatë, juria në përbërje të Enver Petrovcit, Moni Damevskit dhe Alfred Trebicka kanë shpallur çmimet e fituesve, ku filmi "In Silence" i regjisorit Jirasky u nderua me çmimin "Filmi më i Mirë i Festivalit", çmimin "Regjia më e Mirë" dhe çmimin "Skenari më i Mirë".

Çmimin për "Rolin Kryesor – Aktorja më e Mirë" e ka fituar Njomëza Fetiu për rolin e saj në filmin "Babai im", kurse Çmimin "Roli Kryesor – Aktori më i Mirë", e ka fituar Simon Berger, që luajti rolin kryesor në filmin e regjisorit suedez, Mikael Marcimain, "Call Girl".

Nga filmat e metrazhit të shkurtër , Çmimin "Filmi më i Mirë" iu dha filmit të regjisores Una Gunjak, "The Chicken".
Çmimi "Kinemaja e së Ardhmes", iu dha filmit kosovar "Pandora" , film ky i realizuar nga Arlinda Morina, kurse "Çmimin Special" e fitoi filmi nga Shqipëria "Vrasësit", i regjisorit Ergys Meta.

Fest Film Kosova "Hyjnesha në Fron" dha edhe Çmimin Special për Vepër Jetësore, me të cilin këtë vit u nderua aktorja nga Shqipëria, Marjeta Larja.

Gjatë Festivalit ndërkombëtar të filmit "Hyjnesha në Fron" janë shfaqur 16 filma të metrazhit të shkurtër dhe 5 të metrazhit të gjatë.

Festivali pesëditorë është mbajtur në Stacionin Hekurudhor në Fushë-Kosovë, ku për herë të parë filmat janë shfaqur edhe në tren, e jo vetëm në ambiente klasike siç janë sallat e teatrove apo sallat kinematografike.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme