Turqia do të restaurojë Xhaminë e Plumbit në Shkodër

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të Shkodrës me një arkitekturë osmane dhe sot është Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Turqia do të restaurojë Xhaminë e Plumbit në Shkodër

Lagjja e Qafës, është lagjja më e vjetër e qytetit të Shkodrës. Kjo lagje së bashku me Kalanë e Shkodrës përbëjnë historinë e vjetër të qytetit të Shkodrës. Në këtë lagje janë disa monumente kulture që ekzistojnë deri sot. Ndër më kryesoret dhe në gjendje të mirë është Xhamia e Plumbit. Kjo xhami u ndërtua në vitin 1773–1774 nga Mehmet Pashë Bushati (plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukur e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb prandaj u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot, mbas 240 vjetësh.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, në një livadh në rrafshinën e lumit Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamia e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjëra, para se të hysh në sallën e faljes.

Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur tetëkëndësh (oktogonal) shumë i lartë, në maje të së cilës qëndron kubeja gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është e zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në maje të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është e ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, i cili është shumë rezistent ndaj veprimeve erosive.

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme