Po të mos ishte shkencëtar, Tesla do të ishte shkrimtar i madh

Dashuria e madhe për letërsinë është ana më pak e njohur e shkencëtarit të madh, Nikola Tesla. Ai dinte përmendësh pjesë të mëdha të Dantes, Shekspirit, Pushkinitm etj..

Po të mos ishte shkencëtar, Tesla do të ishte shkrimtar i madh

Njëri prej miqve më të afërt të Nikola Teslës ishte poeti dhe botuesi Robërt Andërvud Xhonson (Robert Underwood Johnson), i cili i kishte kushtuar poezinë "Në laboratorin e Teslës".

Nëse Tesla nuk do t'i përkushtohej shpikjeve, do të bëhej një shkrimtar i përkryer, kishte thënë në një rast shkrimtari i njohur amerikan, Mark Tuejn, i cili ishte miqësuar me shkencëtarin për një kohë të gjatë. Kjo është vetëm një dëshmi sesa shumë ishte i dashuruar pas letërsisë së shkruar dhe asaj gojore Nikola Tesla. Ai zotëronte disa gjuhë të botës dhe vazhdimisht lexonte klasikët më të mëdhenj të letërsisë.

Tesla dinte përmendësh pjesë të tëra të "Komedisë Hyjnore" të Dantes, "Hamletin" e Shekspirit, pjesë të Volterit, "Çajld Haroldin" e Bajronit, "Onjeginin" e Pushkinit dhe të gjitha i dinte në gjuhët origjinale. Pjesa më e dashur e tij ishte "Fausti" i Gëtes, të cilin mund ta recitonte gati nga fillimi e deri në fund. Këtë Tesla e arrinte për arsye se posedonte të ashtuquajturën memorie fotografike dhe i nevojitej shumë pak kohë që të mësonte përmendësh dhjetëra faqe të ndonjë teksti letrar.

Shpikësi i jashtëzakonshëm, të cilit bota i ka një borxh të madh, nuk është kënaqur vetëm me lexim, por me ato që lexonte edhe u inspironte në punën e vetë shkencore. Ideja për zbulimin e tij të parë të vitit 1882 për fushën magnetike rotative i kishte ardhur pikërisht teksa recitonte prologun e "Faustit".

Si gjimnazist, Tesla ishte vetëshërbyer me bibliotekën shumë të pasur të dajës së tij.

Në autobiografinë e tij, Tesla ndalet edhe te një rast interesant, ku thotë se si përmes letërsisë një herë ishte shëruar. Kur si gjimnazist ishte sëmurë për vdekje, nga biblioteka e qytetit i kishin rënë në dorë krijime të hershme të Mark Tuejinit (1935 - 1910). Dhe pikërisht nga leximi i tyre, rrëfen Tesla, i kishte ndodhur edhe shërimi i çuditshëm. "Njëzetepesë vite më vonë ia kisha rrëfyer këtë ndodhi Mark Tuejnit (i cili ishte mysafir i shpeshtë i laboratorit të shkencëtarit). Pastaj përjetova një habi të madhe teksa pashë se si mjeshtri i madh i penës qante nga rrëfimi im", shkruan në kujtimet e veta Tesla.

Në fëmijëri Tesla thotë se si përmes letërsisë kishte rritur forcën e dëshirës dhe të vetëkontrollit. Në këtë pikë, ai veçon shkrimtarin hungarez, i njohur për romane historike, Jozhik Miklosh, për të cilin thuhet se kishte ndikim edhe tek nobelistët Mari dhe Pier Kuri.

Tesla e kishte edhe një mani, siç e thotë edhe vetë, që çdo libër që e niste edhe e përfundonte.
Kur ishte bërë tashmë i njohur, mysafirë të shpeshtë të laboratorit të tij ishin edhe shumë personalitete të shquara, si nobelisti Rudjard Kipling.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme