Qelqi i Bejkozit gjallërohet me turizmin

Synohet që me anë të këtij projekti artin e përpunimit të qelqit ta mbajnë në jetë.

Qelqi i Bejkozit gjallërohet me turizmin

Në kuadër të projektit të titulluar “Mbrojtja dhe Përfitimi për Turizëm i Traditës së Përpunimit të Qelqit në Bejkoz (Beykoz)” që është një traditë shekullore e Bejkozit, një lagje e Stambollit, në Polonezkoj (Polonezköy) u themelua “Qendra e Artit të Qelqit”. Krahas gjallërimit të traditës shekullore të përpunimit të qelqit të kësaj nënprefekture të Stambollit, projekti synon që artin e përpunimit të qelqit me këtë projekt të kontribuoj në turizëm dhe ekonominë e vendit. Në fazën e parë të këtij projekti ka filluar trajnimi i 100 praktikantëve. Në këtë mënyrë në këtë qendër do të trajnohen mjeshtrit e ri që do të mbajnë të gjallë edhe artin e përpunimit të qelqit dhe turistëve do tu prezantohen dhe shiten punimet tradicionale prej qelqi.

Guvernatori i qarkut të Bejkozit, Sulejman Erdoan (Süleyman Erdoğan) në lidhje me këtë projekt ka thënë se synohet që artin e përpunimit të qelqit, i cili pas mbylljes së fabrikës së qelqit Pashabahçe (Paşabahçe) në këtë nënprefekturë, ta mbajnë në jetë. Përpunimi i qelqit në Bejkoz ka një të kaluar qindra vjeçare pohon guvernatori ndërsa në lidhje me projektin foli kështu: “Ne synojmë që artin e përpunimit të qelqit ta gjallërojmë sërish me turizmin dhe në fazën e parë kemi trajnuar 100 praktikantë. 13 më të mirët i dërgojmë në ishullin Murano të Italisë ku gjatë një jave do të bëjnë praktikë pranë mjeshtërve më të mirë italianë. Pas Polonezkojit (Polonezköy) në Anadollukavaë (Anadolukavağı) dhe Riva, që janë lagjet tjera turistike të nënprefekturës, do të hapim edhe qendra tjera të shitjes dhe ekspozimit të punimeve. Zona mes Polonezkojit dhe Xhumhurijetkojit (Cumhuriyetköy) do të shndërrohet në “Luginën e qelqit”. Ne i kushtojmë rëndësi kontributit në turizëm dhe ekonomi të artit kulturor dhe do të përpiqemi që në Bejkozin ta bëjmë një vend të ngjashëm me Glasdorfin e Gjermanisë”.

Ndërkaq kryetari i bashkisë së nënprefekturës, i cili thotë se “viti 2014 do të jetë viti i ringjalljes së qelqit”, thotë se “Me prirjen e udhëheqjes vendore dhe me pjesëmarrjen e artistëve të qelqit e biznesmenëve, arti i përpunimit të qelqit në nënprefekturën tonë do të ringjallet sërish. Bashkia jonë mori vendime serioze në lidhje me këtë. Hyrjet në nënprefekturë do të zbukurohen me figura gjigante të qelqit”. Në lagjen Riva të nënprefekturës Bejkoz të Stambollit ndodhet Fondacioni i Përpunimit të Qelqit në Bejkoz ku organizohen trajnime në punimet e qelqit. Shkolla që ndodhet këtu është shkolla e vetme e përpunimit të qelqit në Turqi dhe është mjaft interesante që 75% në mesin e të interesuarve për këtë shkollë janë të huajt. Një student turk, i cili trajnohet për fuzionin e qelqit në këtë shkollë thotë se ka qenë i magjepsur se si një artist anglez punoi një figurë qelqi të semazenit gjatë shfaqjes së semazenëve në Fondacionin e Qelqit në Bejkoz. “Sado që përpunimi i qelqit duket si një profesion ai është një art dhe mjeshtrit janë artistë. Qelqi ka një vlerë pamore sikurse një skulpturë apo një pikturë”, shprehet studenti. “Qelqi përpunohet me metoda të ndryshme si fryrja, fuzioni, mozaiku dhe në këtë mënyrë merr formën e shndërrohet në një vepër artistike, thonë mjeshtrit.

Shembulli më i njohur i veprave të qelqit të Bejkozit është “Çeshmi Bylbyl” (Syri i bilbilit). Ky stil është një art i punimit të qelqit i dal nga fundi i shekullit të 18-të kur Sulltan Selimi i 3-të e dërgon Mehmet Deden, që ishte një dervish i mevlevive, në Venedik për ti mësuar teknikat e punimit të qelqit. Pas kthimit nga Venediku, ku Mehmet Dedeja mësoi teknikën e punimit të qelqit opal, ai hapi një punëtori të punimit të qelqit në Bejkoz, ndërsa me zhvillimin e kësaj teknike të ardhur nga Venediku, në pah doli edhe Çeshmi Bylbyl. Punimet e tij të quajtura “Punë e Bejkozit” të prodhuara në punëtorinë e qelqit në Bejkoz, të cilat kur depërton drita pasqyrojnë ngjyrën e kuqe, si tas kristali, pjata, gota, filxhan, shishe dhe epruveta të ndryshme, kanë një famë të madhe qysh prej asaj kohe. Krahas teknologjisë së veçantë të prodhimit të qelqit që përdoret për prodhimin e Çeshmi Bylbylit, këto prodhime njihen edhe si prodhime që kërkojnë frymëzim dhe punime të gjata. Veçoria kryesore është vendosja brenda qelqit të shkrirë të shufrave të holla me ngjyra të ndryshme. Këto vija të përdredhura pasqyrojnë edhe aftësitë dhe stilin e mjeshtrit që i punon. Këto punime të punuara me stilin turk dallojnë nga punimet e ngjashme që prodhohen në Evropë.

Bejkozi dhe rrethina që njihen si qendra e punimit të qelqit, një art ky që me të vërtet kërkon një finesë gjatë punës, në ditët e sotme janë duke bërë edhe prodhimin, por edhe prezantimin e punimeve të qelqit. Siç thamë edhe në fillim Qendra e Artit të Qelqit, e cila u hap në Polonezkoj, u bë shkak që ky fshat polak të shquhet edhe për nga punimet e qelqit. Emri i vjetër i këtij fshati polak ishte Adampol dhe ishte një fshat i shquar polak i themeluar nga Princi Adam Çartovski, i cili ishte një burrë shteti gjatë kohës së kryengritjes polake në vitin 1842, në të cilin u strehuan edhe liderët polakë të syrgjynosur. Për këtë arsye fshati u quajt Adampol sipas Princit Adam. Gjatë viteve 1830 sipërfaqja ku shtrihet fshati ishte i rregulluar si një çiflig nga ana e priftërinjve lazarist që administronin me liceun francez Saint Benoi. Në atë kohë qendra e mërgimeve politike të polakëve ishte Parisi. Qëllimi i Princit Adam Çartovski ishte themelimi i një qendre të dytë politike brenda territoreve të Perandorisë Osmane. Me këtë qëllim Michal Çajkovski u dërgua në Perandorinë Osmane në cilësinë e përfaqësuesit. Çajkovski me të mbërritur në Stamboll në vitin 1850 e pranoi fenë islame dhe ndryshoi emrin në Mehmet Sadik Pasha dhe më pas bleu këto troje nga priftërinjtë lazarian ku në të ardhmen do të themelohet edhe fshati Adampol. Në fillim numri i banorëve të fshatit ishte 12 ndërsa me kalimin e kohës ky numër doli në 220. Ndërkaq sot në këtë vend i cili gjatë vizitës së Ataturkut në vitin 1937 ndryshoi emrin në Polonezkoh jetojnë 1 mijë persona. Në vitin 1938 banorët e Polonezkojit u pranuan në nënshtetësinë turke, ndërkaq në vitin 1968 pronarët e tokave të cilat i përpunonin u pajisën edhe me tapi. Në saje të qasjes së lehtë, pozitës gjeografike dhe natyrës së bukur, Polonezkoji në ditët e sotme nga të qenit një fshat bujqësor u kthye në një vend ku mund të kaloni pushimet. Ky vend, ku u lind diva e famshme turke sopranoja Lejla Genxher, në saje të zhvillimit të marrëdhënieve turko-polake përveç turistëve vendor shpesh mirëpret edhe turistë të ardhur nga Polonia, ndërsa festivali i larmishëm i qershive që organizohet çdo vit i shton edhe më shumë gjallëri jetës kulturore.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme