Qyteti Tokat djepi i civilizimeve

Në Tokat, ku mund të hasim në gjurmët e një numri të madh të civilizimeve, janë zbuluar disa vepra të vjetra 900 vjet.

Qyteti Tokat djepi i civilizimeve

Qyteti Tokat, që ndodhet në njërën prej rrugëve të rëndësishme tregtare të së kaluarës dhe që mirëpret një numër të madh të civilizimeve, me tokat e tij të begatshme dhe me natyrë të bukur është njëra prej prefekturave me potencial të lartë të turizmit. Ky qytet i bukur që ndodhet në zonën e Detit të Zi sot bën përpjekje për ti bashkëngjitur një vend të ri sektorit të turizmit. Siç thamë edhe më parë në Tokat, ku mund të hasim në gjurmët e një numri të madh të civilizimeve, janë zbuluar disa vepra të vjetra 900 vjet. Njëra prej tyre është Medreseja Gëk (Gök Medresesi) një vepër e periudhës së Selxhukëve. Pas mbërritjes së Selxhukëve në Anadoll ata në qytete të ndryshme ndërtuan një numër të madh të medreseve. Dy prej tyre që ndodhen në qytetet Sivas dhe Tokat njihen me emër të njëjtë. Medreseja në Sivas është ndërtuar nga ana e Sahip Atas që ishte kryeveziri i Gijasedin Kejhusrevit të 3-të, dhe u projektua nga ana e arkitektit Konjallë Kalujan. Kjo është një vepër tipike e arkitekturës turko-islame të Anadollit. Për shkak të dy minareve të ndërtuara nga tullat që ndodhen pran portës dhe zbukurimet e brendshme me qeramikë të kaltër, populli e quajti Medreseja Gëk (Medreseja e Qiellit).

Ndërsa kur bëhet fjalë për Medresenë Gëk që ndodhet në Tokat, prefektura e këtij qyteti me anë të një deklarate të publikuar në faqen e saj të internetit, bëri të ditur se medreseja në fjalë, e cila në të kaluarën ishte një institucion arsimor, tash e tutje do të kthehet në muze dhe në këtë mënyrë do të kontribuoj në turizmin e qytetit. Me anë të këtij projekti të miratuar edhe nga ana e Agjencisë për Zhvillim të Zonës së Mesme të Detit të Zi, synohet që turistëve të cilët vizitojnë këtë zonë ti prezantohet një ambient natyral ku mund ta përjetojnë kulturën e Tokatit. Medreseja Gëk në oborrin e së cilës para shumë shekujsh shëtisnin mësuesit dhe nxënësit e saj tani do të hapet për shërbim të turizmit dhe kështu do të gjallërohet sërish. Tani le të kalojmë nga Tokati që ndodhet në zonën e mesme të Detit të Zi në qytetin Bajburt dhe të ju përcjellim një lajm tjetër në lidhje me muzetë. Muzeu Baksë ndodhet 45km larg Bajburtit në lindje të zonës së Detit të Zi dhe është ndërtuar mbi majën e një kodre që shikon në Luginën Çoruh. Ky muze i jashtëzakonshëm që ndodhet në fshatin Bajraktar, që dikur quhej Baksë, nën një çati mirëpret punimet artizanale të artit modern dhe atij tradicional. Sallonet e ekspozitave, punëtoritë, salla e konferencave, biblioteka dhe shtëpi pritjeje shtrihen mbi një sipërfaqe prej 30 dynymëve. Muzeu Baksë ishte një ëndërr e Prof. Dr. Hysametin Koçan një artisti dhe mësimdhënësi nga Bajburti që u realizua në vitin 2000. Me qëllim të vënies në jetë të kësaj ideje në vitin 2005 u themelua një fondacion. Muzeu, i cili me kontributin e një numri të madh të vullnetarëve me në krye të artistëve u kthye në një projekt shoqëror, pas përpjekjeve të shumta 10 vjeçare përfundoi në vitin 2010 pa marr ndihma nga shteti. Ndërsa në korrik të vitit të njëjtë u bë përurimi i muzeut. Muzeu Baksë, që është muzeu i fundit që u radhit në mesin e muzeve private në Turqi, ka marr edhe një çmim ndërkombëtar. Muzeu Baksë, të cilin Prof. Dr. Hysamettin Koçan nga Bajburti ia dhuroi vendlindjes së tij, u pa i denjë për “Çmimin e Këshillit të Evropës për Muze”. Vendimi i marr në mbledhjen e Komisionit të Kulturës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të mbajtur në Paris, muzeu Baksë i Bajburtit u pa i denjë për çmimin e Këshillit të Evropës për Muze të njohur shkurtimisht “EMYA 2014”. Ky muze fitoi përball muzeve “Zanis Lipke Memorial” të Letonisë dhe “Bildmuseet” të Suedisë.

Njëra prej objektivave të Muzeut Baksë është që në Bajburt, që është një nga rajonet më intensive të migrimit, të rivendoset një frymë jete me art dhe të gjallërohet jeta ekonomike e këtij rajoni. Për këtë arsye ky muze në krahasim me muze private në prefekturat tjera të Turqisë ka marr përsipër një rol më të madh. Çmimi Evropian i Muzeve për vitin 2014 është njëra prej çmimeve më të mëdha të muzeve të dhëna në Evropë. Këtë çmim më herët nga Turqia e kishte marr Muzeu Arkeologjik i Stambollit. Ndërsa në mesin e institucioneve tjera ndërkombëtare të cilat morën këtë çmim ndodhen Muzeu i Liverpoolit në Angli dhe Muzeu Juan Miro në Spanjë. Siç shihet, vlerësimi i Komisionit të Kulturës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për ti ndarë Muzeut Baksë “Çmimin e Këshillit të Evropës për Muze”, bëri që ky muze të arrij në një shkallë të rëndësishme në platformën ndërkombëtare. Parë nga ky aspekt Muzeu Baksë në saje të këtij çmimi që tani zuri një vend të rëndësishëm në mesin e muzeve botërore. Në krahasim me muzetë tjera private në Turqi, Baksë është një institucion i ndryshëm nga të tjerët. Ai nuk është një muze vetëm për vizita, por njëkohësisht është një vend ku njerëzit prodhojnë, ku ata ndajnë mes tyre problemet kulturore dhe ekonomike për të cilat mundohen të gjejnë zgjidhje. Këtu ndodhet edhe një punëtori e prodhimit, këtu krijohet një bazë e përbashkët për veprimtarinë e njeriut duke mos bërë dallim mes artit dhe artizanatit. Për këtë arsye në këtë muze bashkohen në një platformë punimet tradicionale me ato moderne. Një veçori tjetër është që udhëheqja e muzeut me shumicë përbëhet prej grave, ndërsa ndjeshmëria e tyre kontribuon në strukturën e muzeut.

Duke u nisur nga lajmi i muzeut Baksë nëse shikojmë në gjendjen e Turqisë në këtë fushë atëherë do të shohim se Turqia është një vend i pasur nga aspekti i muzeve private. Sipas të dhënave të fundit numri i muzeve private të mbikëqyrura nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Turqi ndodhen 177 muze private në 37 prefektura. Në këtë radhitje në vend të parë ndodhet Stambolli me 43 muze private, në vendin e dytë është Ankaraja me 34 muze dhe në vendin e tretë Izmiri me 11 muze. 177 muze private në mbarë vendin çdo vit mirëpresin me miliona turistë vendor e të huaj. Ndërkohë që ndërtimi i disa muzeve daton nga kohërat e lashta, disa të tjerë janë vënë në jetë pas zhvillimit në shekullin e 21-të. Në mesin e këtyre muzeve mund të numërojmë disa si Galeria e Arteve e Muzeut të Hekurudhave Shtetërore në Stacionin Hekurudhor Sirkexhi në Stamboll, Muzeu i Lodrave në Stamboll, Muzeu i Zjarrfikësve Kont Szechenyi, Muzeu i Ataturkut, Muzeu i Detarisë dhe Frutave të Detit, Muzeu i Historisë së Mjekësisë i Fakultetit të Mjekësisë Xherah Pasha, Cisterna Nëntokësore, Muzeu i Shtypit etj. Në anën tjetër kemi edhe muze të hapura në emër të mjeshtërve të mëdhenj të penës të letërsisë turke si Tevfik Fikret, Sait Faik, Orhan Kemal dhe Jahja Kemal.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme