Ditët e Filmit Dokumentar në TRT-2014

Emocionet e Çmimeve të TRT-së për Filmin Dokumentar-2014 filluan më 8 maj.

Ditët e Filmit Dokumentar në TRT-2014

Rrjeti radioteleviziv i Turqisë (TRT), i cili këtë vit feston 50-vjetorin e themelimit, paraqet për shikuesit e edicionit të 6-të të festivalit "Çmimet e TRT-së për Filmin Dokumentar-2014" 34 filmat, që janë kualifikuar në finale ndërmjet gjithsej 350 produksioneve nga 35 vende të ndryshme të botës.

Në një shfaqje të veçantë, të organizuar nën temën "Dokumentarë pa Kufij Kohor", ku do të takohen sërish pas shumë vitesh emra, që kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin e qindra dokumentarëve të TRT-së, do të demonstrohen 9 dokumentarë të përzgjedhur nga historiku i kanalit televiziv dokumentar "TRT Belgesel".

"Çmimet e TRT-së për Filmin Dokumentar", që janë organizuar në shkallë kombëtare nga TRT-ja për herë të parë në vitin 2009 nën emrin "Konkursi i TRT-së për Filmin Dokumentar", për të kontribuuar në zhvillimin e sektorit të filmit dokumentar turk dhe sjellë filmin dokumentar më pranë shikuesit, në vitin 2010 fitoi një identitet ndërkombëtar falë një pjesëmarrjeje të gjerë.

Konkursi, që organizohet me qëllim mbështetjen e produncentëve amatorë dhe profesionistë të filmave dokumentarë, si dhe krijimin e një platforme takimi për dokumentaristët vendas dhe ata të huaj; edhe këtë vit është ndarë në dy kategori kryesore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Sakaq kategoria kombëtare do të vlerësohet në dy nënkategori, amatorë dhe profesionistë.

STAMBOLLI NË FOKUS MES DATAVE 8-12 MAJ

Ky organizim i mrekullueshëm do të realizohet në Stamboll, në data 8-12 maj. "Ditët e Filmit Dokumentar në TRT" do të përfundojnë mbrëmjen e 12 majit me "Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve" dhe "Programin Special Gala", që do të organizohen në Studion Tepebashi të TRT-së.

"ÇMIMI I NDERIT" PËR TEVFIK SHENOLLIT NË ÇMIMET E TRT-SË PËR FILMIN DOKUMENTAR-2014

Çmimi i Nderit për këtë vit do t'i jepet drejtor fotografie/regjisorit, Tevfik Shenoll. I vlerësuar për kontributin dhe mundin tij në zhanrin e filmit dokumentar turk, Shenolli do ta marrë këtë çmim në ceremoninë e 12 majit.

"TWIN SISTERS", FILMI I HAPJES ME PESË ÇMIME NDËRKOMBËTARE

Siparin e edicionit të 6-të të festivalit "Ditët e Filmit Dokumentar në TRT" do ta ngrejë filmi me titullin "Twin Sisters", një histori humane tronditëse mbi dashurinë vëllazërore, dilemën njerëzore dhe lojën e fatit, që mban firmën e regjisores dhe producentes norvegjeze, Mona Fris Bertheusen.

VEPRAT KULT: "DOKUMENTARË PA KUFIJ KOHOR"

Regjisorët dhe ekipet e realizimit të "Dokumentarëve pa Kufij Kohor", që mbajnë firmën e TRT-së dhe e ruajnë ende vlerën e tyre në zhanrin e filmit dokumentar turk, do të takohen me dashamirësit e dokumentarëve ditën e mërkurë, më datë 7 maj, nga ora 10:00 - 18:50, në ambientet e Radios “TRT Istanbul”.

Sakaq, Rada Sheshiç, anëtare e jurisë së kategorisë ndërkombëtare të Çmimeve të TRT-së për Filmin Dokumentar, do të shpjegojë aplikacionin "Një Strategji Festivali" nëpërmjet prezantimit me temë "Kam një Film - Strategjitë e Festivalit", që do të organizohet ditën e diel, më datë 11 maj.

PROGRAMI I SHFAQJES SË FILMAVE DHE VENDET

Ditët e Filmit Dokumentar do të fillojnë me Shfaqjen Speciale të TRT-së ditën e mërkurë, më 7 maj, dhe do të përfundojnë mbrëmjen e të dielës, më datë 11 maj. Projeksioni i filmave do të realizohet në "Shtëpinë Radiofonike të TRT-së" dhe në Liceun Francez "Notre-Dame de Sion", që të dyja në Harbije të Stambollit.

ÇMIMET PËR MË TË MIRËT

Më poshtë vijojnë çmimet për më të mirët, që do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare e formuar nga anëtarë njëri më i famshëm se tjetri:

KONKURSI KOMBËTAR

Kategoria Amatore

Çmimi për filmin më të mirë: 15.000 lira turke
Çmimi i dytë: 10.000 lira turke
Çmimi Special i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë: 5.000 lira turke
Çmimi Special i Universitetit të Qytetit të Stambollit: 5.000 lira turke

Kategoria Profesioniste

Çmimi për filmin më të mirë: 30.000 lira turke
Çmimi i dytë: 20.000 lira turke
Çmimi Special i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë: 10.000 lira turke

KONKURSI NDËRKOMBËTAR

Çmimi për filmin më të mirë: 10.000 euro
Çmimi i dytë: 7.500 euro
Çmimi Special i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë: 5.000 euro


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme