Shqipëri-Finlandë, bashkëpunim në fushën e arkeologjisë

Rrethinat e Durrësit janë vënë në qendër të një projekti ndërdisiplinor, që parashikon kombinimin e arkeologjisë, historisë, gjeologjisë dhe gjeofizikës, projekt ky që po realizohet nga një grup i përbashkët specialistësh shqiptarë dhe finlandezë.

Shqipëri-Finlandë, bashkëpunim në fushën e arkeologjisë

Projekti “Hinterlandi i Dyrrachiumit” është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe universitetit të Helsinkit dhe drejtohet nga Dr. Brikena Shkodra dhe Dr. Björn Forsén.

Dr. Brikena Shkodra tha se projekti ka filluar të aplikohet me një fushatë 2-javore përgatitore në verën e vitit të kaluar.

Aktualisht në terren po punojnë 6 arkeologë, tre nga të cilët nga Finlanda, si dhe katër studentë të degës së arkeologjisë në Universitetin e Tiranës. Specialistët po punojnë pranë rrugës me drejtim nga Kavaja, që ndjek vijën e rrugës Egnatia, si dhe atë të kodrave të Arapajt dhe Rromanatit, në ndjekje të Ujësjellësit të periudhës romake, që sillte ujin e pijshëm nga Lumi Erzen në Durrës.

Projekti ka lindur si nevojë e përbashkët për sudimin e një zone të survejuar në nivele ekstensive, ndërsa Universiteti i Helsinikt është mjaft i interesuar për krahasimin e të dhënave arkeologjike në territorin e Ballkanit Perëndimor, pas përvojës së kërkimeve të ngjashme në territorin e Thesprotisë.

Bëhet fjalë për një projekt ndërdisiplinor, që parashikon kombinimin e arkeologjisë, historisë, gjeologjisë dhe gjeofizikës me synim studimin e historisë së zhvillimit dhe shfrytëzimit të territorit në jug të Durrësit që prej periudhave prehistorike deri në atë moderne.

Angazhimi i ekspeditës që do të përfundojë më 27 prill u përqëndrua në grumbullimin e të gjitha punimeve arkeologjike të publikuara për territorin nën studim, duke synuar strukturimin e metodologjisë së kërkimit për vitet e ardhshme.

Rezultatet paraprake të kesaj faze parapërgatitore të projektit "Hinterlandi i Dyrrachiumit" ofrojnë shumë pritshmëri për kërkimet e mëtejshme.

"Krahas vlerësimit të të dhënave ekzistuese, në kemi mundur deri tani të identifikojmë edhe një numër sitesh të reja me indikacione të ndryshme kronologjike, që nisin me periudhën prehistorike deri në ate otomane, si dhe funksionale: qendra rurale, religjioze dhe ferma/vila", tha bashkëdrejtorja e misionit shqiptaro-finlandez, Brikena Shkodra.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme