OBSH-ja: S'ka dëshmi për transmetueshmëri më të lartë të variantit “Omicron”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi të dielën se nuk ka asnjë provë deri më tani në lidhje me transmetueshmërinë ose ashpërsinë e variantit të ri “Omicron” të koronavirusit.

1740087
OBSH-ja: S'ka dëshmi për transmetueshmëri më të lartë të variantit “Omicron”
Dünya Sağlık Örgütü 02.jpg
Dünya Sağlık Örgütü 03.jpg

“Nuk është ende e qartë nëse «Omicron» (më herët i quajtur «B.1.1.529») është më i transmetueshëm (përhapet më lehtë nga personi në person) në krahasim me variantet e tjera, përfshi këtu edhe atë «Delta»,” theksoi organizata në një deklaratë.

OBSH-ja vuri në pah se numri në rritje i njerëzve që testohen pozitivë dhe shkalla e shtrimit në spital në Afrikën e Jugut, ku varianti i ri u raportua për herë të parë dhe mendohet se ka origjinën, nuk do të thotë me doemos shkallë më e lartë e transmetimit ose e ashpërsisë së sëmundjes.

“Kjo mund të jetë për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të njerëzve që infektohen dhe jo si pasojë e një infektimi specifik me «Omicron»”, potencoi ajo duke sqaruar se studimet epidemiologjike po vazhdojnë për të kuptuar nëse kjo situatë është shkaktuar nga varianti “Omicron” apo faktorë të tjerë.

“Aktualisht nuk ka asnjë informacion që tregon se simptomat e lidhura me variantin «Omicron» janë të ndryshme nga ato të varianteve të tjera”, shtoi OBSH-ja.

Bazuar në informacione të kufizuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi gjithashtu se njerëzit që e kanë kaluar më parë COVID-19, mund të infektohen përsëri më lehtë me “Omicron” në krahasim me variantet e tjera shqetësuese.

OBSH-ja theksoi nevojën për më shumë studime mbi variantin e ri për ta kuptuar më mirë atë.

“Teksa studimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar efektivitetin e vaksinave antiCOVID dhe testeve aktuale mbi variantin e ri, mjekimi i përdorur në trajtimin e koronavirusit mund të jetë ende efektiv në trajtimin e variantit «Omicron»”, saktësoi organizata.

Nga ana tjetër, OBSH-ja kritikoi fillimin e pezullimit të udhëtimeve drejt dhe nga vendet në jug të kontinentit afrikan, ku u raportua për herë të parë varianti “Omicron”.

“Ndërsa një numër në rritje vendesh po vendosin ndalime fluturimesh në vendet e Afrikës Jugore për shkak të shqetësimeve rreth variantit të ri «Omicron», OBSH-ja u kërkon vendeve të ndjekin shkencën dhe Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit”, nënvizoi organizata.

OBSH-ja bëri thirrje që kufijtë të mos mbyllen duke arsyetuar se kufizimet e udhëtimeve mund të kenë efekte negative mbi jetesën dhe zinxhirët e furnizimit në vendet afrikane.



Lajme të ngjashme