EMA: Ka lidhje ndërmjet trombozës dhe vaksinës “AstraZeneca”

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) pohoi të martën ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet vaksinës “AstraZeneca” dhe trombozës, por theksoi se shkaku nuk është qartësuar ende.

1616006
EMA: Ka lidhje ndërmjet trombozës dhe vaksinës “AstraZeneca”
Astrazeneca aşı.jpg

EMA pritet të azhurnojë këshillat e saj mes shqetësimeve të reja për një lidhje midis vaksinës “AstraZeneca” kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) dhe mpiksjes së gjakut.

Një zyrtar i lartë i rregullatorit evropian të medikamenteve tha në një intervistë të botuar të martën se ishte e dukshme që kishte një lidhje, megjithëse ishte e paqartë se si ndodhte kjo.

“Sipas mendimit tim, ne mund ta themi tani se është e qartë që ka një lidhje me vaksinën. Por ne ende nuk e dimë se çfarë e shkakton këtë reagim”, i tha shefi i vaksinave të EMA-s, Marco Cavaleri, gazetës italiane “Il Messaggero”.

“Në orët e ardhshme, ne do të themi se ka një lidhje, por ne ende duhet të kuptojmë se si ndodh kjo”, u shpreh Cavaleri duke shtuar se “tani është gjithnjë e më e vështirë të thuhet se nuk ka asnjë lidhje shkak-pasojë midis vaksinimit me «AstraZeneca» dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut të pazakonta të shoqëruar me numërimin e ulët të trombociteve”.

EMA ka thënë që një lidhje shkakësore është e mundur dhe se do të sigurojë një vlerësim të azhurnuar më vonë këtë javë.

“Ne jemi duke u përpjekur të marrim një pamje precize të asaj që po ndodh, për të përcaktuar në detaje këtë sindromë për shkak të vaksinës. Midis të vaksinuarve, ka më shumë raste të trombozës cerebrale tek të rinjtë sesa prisnim”, deklaroi ai.

Cavaleri sqaroi se nuk mendon që EMA do të jetë në gjendje këtë javë për të treguar se tek cila grupmoshë duhet të përdoret vaksina “AstraZeneca”.

Kurse eurokomisionarja për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, tha se EMA do të bëjë një vlerësim të azhurnuar më vonë të mërkurën.

Shqetësimet në lidhje me rastet serioze të trombozës në një pakicë të vogël të rasteve kanë minuar besimin në vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike “AstraZeneca”.

Disa vende të BE-së duke përfshirë Francën, Italinë dhe Gjermaninë – tre vendet më të mëdha të Unionit për nga popullsia – ose e pezulluan ose e kufizuan përdorimin e kësaj vaksine përpara se EMA të deklarojë që përfitimet tejkalojnë rreziqet dhe duhet të mbetet në përdorim.

Rregullatori shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar bëri me dije të shtunën e kaluar se kishte 7 viktima në mesin e 30 personave që pësuan mpiksje gjaku pasi morën vaksinën “Oxford-AstraZeneca”. Më shumë se 18 milionë njerëz janë vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani.



Lajme të ngjashme