Turqia dërgoi 40.000 doza shtesë të “CoronaVac” në Republikën Turke të Qipros së Veriut

Turqia bëri të enjten drejt Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) një dërgesë të tretë të vaksinës së prodhuar nga kompania farmaceutike “Sinovac Biotech” e Kinës.

1582181
Turqia dërgoi 40.000 doza shtesë të “CoronaVac” në Republikën Turke të Qipros së Veriut

Një ambulancë ajrore e Ministrisë së Shëndetësisë transportoi 40.000 doza të “CoronaVac” në RTQV.

“Turqia ka qenë gjithmonë pranë nesh dhe furnizimi me vaksina, krahas ndihmave të tjera në këtë periudhë pandemie, është një provë e mëtejshme. Falënderoj Presidentin Recep Tayyip Erdogan, ndihmëspresidentin Fuat Oktay dhe ministrin e Shëndetësisë, Fahrettin Koca, për mbështetjen e tyre të pakursyer”, deklaroi ministri i Shëndetësisë së RTQV-së, Ali Pilli.

Ai vlerësoi udhëheqjen turke për mbështetjen dhe përpjekjet e saj duke shtuar se fushata e vaksinimit do të vazhdojë falë Ankarasë.

“Teksa në botë ka kaq shumë problemeve dhe është kaq e vështirë t'i qasesh vaksinës, Turqia s'na la vetëm as në çështjen e vaksinës duke treguar edhe një tjetër herë se është gjithmonë pranë nesh. Deri më tani kanë ardhur gjithsej 80.000 doza vaksine nga Turqia. Ne kemi aplikuar 40.000 doza dhe gjatë ditëve në vijim do të aplikojmë me rregullsi edhe 40.000 dozat e sapombërritura”, shtoi Pilli.

Ministri i Shëndetësisë së RTQV-së bëri me dije gjithashtu se plani i vaksinimit po vazhdon sistematikisht.

“Ne vaksinuam së pari personelin shëndetësor dhe filluam aplikimin e dozës së parë tek qytetarët mbi 65 vjeç. Synimi ynë është të vaksinojmë të gjithë popullin në mënyrë të rregullt”, saktësoi ai duke theksuar se objektivi i qeverisë është vendosja e pandemisë nën kontroll përmes fushatës së vaksinimit dhe hapja e të gjithë sektorëve në muajin prill.

Rikujtojmë se Turqia ka dërguar në RTQV edhe dy herë të tjera më parë doza të vaksinës “CoronaVac” të prodhuar nga kompania farmaceutike “Sinovac Biotech” e Kinës, përkatësisht 20.000 doza më 14 janar dhe 20.000 të tjera më 28 janar të këtij viti.



Lajme të ngjashme