OBSH: Nëse s'ndërtohet infrastruktura e nevojshme, do të kemi një valë të tretë vitin e ardhshëm

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije se Evropa ka të ngjarë të shohë një valë të tretë të pandemisë vdekjeprurëse COVID-19 në fillim të vitit 2021, përpara se të prezantohet një vaksinë, në rast se nuk ndërton infrastrukturën e nevojshme.

1532592
OBSH: Nëse s'ndërtohet infrastruktura e nevojshme, do të kemi një valë të tretë vitin e ardhshëm

Përfaqësuesi special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për luftën kundër COVID-19, David Nabarro, kritikoi të dielën përgjigjen e Evropës ndaj koronavirusit të ri duke paralajmëruar se ai mund të shkaktojë një valë të tretë vitin e ardhshëm.

“Reagimi në Evropë ishte i pamjaftueshëm”, tha Nabarro në një intervistë të realizuar me organet e shtypit të “CH Media Group” dhe agjencinë zvicerane të lajmeve “Keystone-SDA”.

Sipas tij, shtetet evropiane nuk arritën të përfitonin nga një qetësim i rasteve në verë për t’u përgatitur për valën tjetër.

Nabarro tha se Evropa ka të ngjarë të shohë një valë të tretë të pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit të ri në fillim të vitit 2021, përpara se të prezantohet një vaksinë antiCOVID.

“Ata humbën shansin për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme gjatë muajve të verës pasi vunë valën e parë nën kontroll. Tani ne kemi valën e dytë. Nëse ata nuk ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme, ne do të kemi një valë të tretë në fillim të vitit të ardhshëm”, paralajmëroi ai.

Zyrtari i OBSH-së vuri në pah gjithashtu se Evropa mund të mësojë shumë nga vendet aziatike.

“Reagimi ndaj virusit duhet të jetë me forcë dhe vendosmëri. Sidomos në fillim, kur virusi po përhapet shumë ngadalë në komunitete të ndryshme. Nëse reagoni pa shumë përpjekje, problemi do të thellohet shumë shpejt”, sqaroi Nabarro.

Evropa shijoi për pak kohë uljen e numrit të infektimeve gjatë verës, por tani infeksionet po rriten përsëri. Gjermania, me një popullsi prej 84 milionë banorësh, regjistroi të dielën 14.000 raste të reja. Ndërkohë që Japonia, shtet me një popullsi prej 120 milionë banorësh, pati vetëm 2.596 raste të reja të shtunën. Koreja e Jugu, shtet me një popullsi prej 51 milionë banorësh, raportoi vetëm 386 raste të reja në të njëjtën ditë dhe ka pasur vetëm rreth 30.700 raste të konfirmuara në total që nga fillimi i pandemisë.

David Nabarro potencoi se një problem i madh është që shumë pak vendimmarrës politikë e kanë kuptuar që virusi po përhapet në mënyrë eksponenciale më tepër se aritmetike.

“Eksponenciale do të thotë se numrat mund të rriten 8 herë në javë, 40 herë në 2 javë, 300 herë në 3 javë, mbi 1.000 herë në 4 javë e kështu me radhë,” tha ai.

Përfaqësuesi special i OBSH-së kundër COVID-19 nënvizoi gjithashtu se në Azi, ndërkohë, shifrat janë relativisht të ulëta, sepse njerëzit janë plotësisht të angazhuar, ata përshtatin sjellje që vështirësojnë përhapjen e virusit.

“Ata ruajnë distancën mes tyre, mbajnë maska, izolohen kur janë të sëmurë, lajnë duart dhe sipërfaqet. Ata mbrojnë grupet më të rrezikuara”, u shpreh ai.

Nabarro gjithashtu tërhoqi vëmendjen mbi faktin që Azia nuk i hoqi kufizimet para kohe.

“Ju duhet të prisni derisa numrat e rasteve të jenë të ulëta dhe të qëndrojnë të ulëta,” tha ai duke shtuar se “reagimi i Evropës ishte i paplotë.”

Zyrtari i OBSH-së gjithashtu vlerësoi komunikimin ndërmjet autoriteteve në Azi dhe Evropë.

“Ata thjesht kanë një mesazh: Nëse duam që ekonomia jonë të jetë e fortë dhe që ne të mbajmë liritë tona, të gjithë duhet t’i përmbahemi disa gjërave themelore”, saktësoi Nabarro.

Nga ana tjetër, OBSH-ja deklaroi gjatë javës së kaluar se infeksionet masive më të mëdha në botë u vërejtën në Gjenevë, ku ndodhet edhe selia e organizatës, si dhe në kantonin fqinj të saj, Vaud.

Vlen të theksohet se qeveria federale në Zvicër nuk zbatoi karantinë në të gjithë vendin, vetëm disa kantone zvicerane vendosën izolim të pjesshëm.



Lajme të ngjashme