SHBA – Oksfordi dhe “AstraZeneca” nisin fazën përfundimtare të vaksinës kundër COVID-19

Kompania farmaceutike britaniko-suedeze, “AstraZeneca”, njoftoi fillimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të provave klinike të fazës 3. dhe të fundit të vaksinës së mundshme kundër COVID-19, zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

1483703
SHBA – Oksfordi dhe “AstraZeneca” nisin fazën përfundimtare të vaksinës kundër COVID-19

Sipas një artikulli të portalit informativ “Clinical Trials Arena”, vaksina potenciale e quajtur “AZD1222” do të testohet mbi 30.000 vullnetarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, nga grupe të ndryshme raciale, etnike dhe gjeografike, të cilët janë të shëndetshëm ose kanë kushte të qëndrueshme themelore mjekësore, përfshi këtu edhe ata që jetojnë me HIV dhe që janë në rrezik të rritur të infektimit nga lloji i ri i koronavirusit.

Vaksina e mundshme synon imunizimin e organizmit të njeriut duke prodhuar antitrupa që luftojnë COVID-19.

Pjesëmarrësit në testime do të marrin dy doza aktive vaksine ose placebo, 4 javë larg njëra-tjetrës.

Aktualisht, provat e fazës 3. të kësaj vaksine po kryhen në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut. Testet klinike të fazës 1. dhe 2. të vaksinës së mundshme u zhvilluan në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut, ndërsa në Brazil ka nisur faza 3. e provave klinike me pjesëmarrjen e 5.000 subjekteve.

“AstraZeneca” deklaroi se synon të regjistrojë më shumë se 50.000 vullnetarë në mbarë botën duke përfshirë 30.000 në SHBA, si dhe pjesëmarrës në Amerikën Latine, Azi, Evropë dhe Afrikë; ndërkohë që testime të tjera janë planifikuar gjithashtu në Japoni, ku është regjistruar një valë e dytë e COVID-19, si dhe në Rusi, ku më shumë se 1 milion njerëz janë prekur nga virusi.

Sarah Gilbert, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit dhe një prej hulumtueseve kryesore në projektin për zbulimin e vaksinës, bëri me dije se të dhënat paraprake nga këto shtete mund të priten në javët e ardhshme.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) më datë 28 gusht, 33 vaksina potenciale kundër llojit të ri të virusit korona janë në fazën e provave klinike dhe 143 të tjera në atë të vlerësimit paraklinik.



Lajme të ngjashme