OBSH: Pandemia COVID-19 po përshpejtohet, ende jo në kulm

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi të martën se pandemia COVID-19 po përshpejtohet dhe bota nuk e ka arritur kulmin e shpërthimit global.

1451293
OBSH: Pandemia COVID-19 po përshpejtohet, ende jo në kulm

Duke folur në konferencën e përdyjavshme për shtyp në Gjenevë mbi situatën e pandemisë, Ghebreyesus tha se në fillim u deshën 12 javë që bota të arrinte në 400.000 raste të koronavirusit të ri, ndërkohë që vetëm gjatë fundjavës së kaluar kishte më shumë se 400.000 raste në të gjithë globin, ku deri më tani janë regjistruar afro 11.5 milionë të infektuar dhe mbi 535.000 të vdekur.

“Përhapja është duke u përshpejtuar dhe ne nuk kemi arritur në kulmin e pandemisë”, tha ai duke shtuar se numri i rasteve është në rritje, por është ende e mundur të minimizohet transmetimi.

Sipas tij, edhe pse vdekshmëria nga COVID-19 duket se ka rënë në nivel global dhe në realitet disa vende kanë bërë përparim të rëndësishëm në zvogëlimin e numrit të viktimave, vdekjet janë ende në rritje në vendet e tjera.

“Kur është shënuar progres në zvogëlimin e vdekjeve, vendet kanë zbatuar veprime të synuara drejt grupeve më të cenueshme, siç janë njerëzit që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë”, tha shefi i OBSH-së.

Gazetarët i kërkuan drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së që të komentojë lajmet se Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, kishte rezultuar pozitiv në testet e COVID-19.

“Ne e kemi thënë prej një kohe të gjatë tani, përfshi këtu edhe fazat e hershme të pandemisë, që ky virus është tepër i rrezikshëm dhe ne e quajtëm atë shumë herë armikun publik numër një”, vlerësoi Ghebreyesus duke i uruar Presidentit Bolsonaro “shërim të shpejtë”.

Ai tha se COVID-19 ka kombinime të rrezikshme, lëviz shpejt dhe gjithashtu është një vrasës.

“Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar dhe e paralajmërojmë botën vazhdimisht”, shtoi Ghebreyesus.

Shefi i OBSH-së tha se disa vende po tregojnë njëfarë përparimi në luftën kundër llojit të ri të koronavirusit.

Por – vijoi ai – shumë vende në të vërtetë kanë më shumë raste dhe ato janë në rritje.

Më tej kreu i OBSH-së tërhoqi vëmendje se gjatë disa muajve të fundit kishte pasur shumë diskutime për origjinën e koronavirusit.

“Të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe ekspertët e OBSH-së do të udhëtojnë në Kinë këtë fundjavë për të përgatitur plane shkencore me homologët e tyre kinezë për identifikimin e burimit zoonotik të sëmundjes”, saktësoi ai.

Ghebreyesus theksoi po ashtu se misioni në Kinë synon të thellojë njohuritë se si qëndron COVID-19 tek kafshët dhe të përcaktojë se si sëmundja u transmetua ndërmjet kafshëve dhe njerëzve.



Lajme të ngjashme