Kthehet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në Kosovë pas shumë rasteve me Covid-19

Pas rasteve të shumta me Covid-19 ditët e fundit, si në numër të rasteve pozitive, ashtu edhe në viktima, qeveria e Kosovës ka rikthyer disa masa të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

1449914
Kthehet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në Kosovë pas shumë rasteve me Covid-19
Kosova Hükümeti_Avdullah Hoti_toplantı.jpg
Arnavutluk_Kosova Kara Sınır Kapısı.jpg
Kosova_koronavirüs polikliniği.jpg
Kosova Hükümeti_Kabine Toplantısı_Avdullah Hoti.jpg
Kosova_Priştine havalimanı.jpg
koronavirüs_Kosova.jpg
koronavirüs_Kosova_tedbirler.jpg
Kosova Başbakan Yardımcısı_Avdullah Hoti.jpg

Kthehet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në Kosovë, pas shumë rasteve me Covid-19

Vetëm në dy ditët e fundit, të shtunën dhe të dielën në Kosovë janë shënuar 330 raste të reja pozitive me Covid-19, me një përqindje të lartë, mbi 50% që kanë rezultuar pozitivë nga testet. Po ashtu janë regjistruar 17 viktima. Kjo ka bërë që qeveria e vendit, pas lirimit të masave, ti rikthejë disa nga ato.

Kështu, nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri.

Kurse lokalet e gastronomisë do të mbyllen po ashtu nga ora 21:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, teksa në kohën kur iu lejohet veprimtaria do të jenë vetëm në ambiente të hapura.

Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

*

Haxhiu i PDK-së kërkon gjendje të jashtëzakonshme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, ka kërkuar të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme në Kosovë pas përkeqësimit të situatës me Covid-19. Ai theksoi se masat e propozuara nga qeveria janë sipërfaqësore.

“Gjendja me COVID-19 në vendin tonë aktualisht është e jashtëzakonshme!!! Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht që ta miratojmë Ligjin Anti-Covid-19, dhe të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, sepse gjendja është e jashtëzakonshme! Masat që prezantoi sot Kryeministri Hoti janë sipërfaqësore; veprimet e Qeverisë se Kosovës duhet të jenë në përputhje me situatën. Rastet e vdekjeve nga COVID-19 po rriten çdo ditë, numri i të infektuarve gjithashtu. Masat mbrojtëse nuk po respektohen, prandaj duhet të vendosen masa me rigoroze që të shpëtohen jetët e qytetarëve”, ka thënë veç tjerash Haxhiu.

*

Nagavci thotë se gjendja me Covid i ka dalë jashtë kontrollit qeverisë Hoti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se gjendja me COVID 19 në vend ka dalë jashtë kontrollit, derisa rastet po rriten me shpejtësi. Në këtë situatë, Nagavci thotë se Qeveria ka dështuar në kujdesin ndaj shëndetit publik.

“Gjendja ka dalur krejtësisht jashtë kontrollit, Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ndaj ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë absolute dhe po ashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 që kemi inicuar që në muajin prill”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

*

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve: Lirimi i masave solli gjendjen në prag të kolapsit

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar pas lajmit për vdekjen e pacientëve me koronavirus në QKUK dhe rritjes së të infektuarve, duke thënë se “institucionet nuk po arrijnë të menaxhojnë fluksin e pacientëve”. Në një komunikatë për media, shoqata PRAK ka kritikuar vendimin e qeverisë për lirimin e masave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, duke thënë se kjo ka kontribuar që gjendja të bëhet “e pamenaxhueshme”.

“Kalimi nga masa rigoroze në masa tejet liberale pa u ngritur kapacitetet spitalore, ka kontribuar që institucionet të vijnë në prag të kolapsit. Është e pashpjegueshme që në kohën kur rriteshin rastet e konfirmuara me COVID-19, masat preventive liroheshin edhe më shumë! Edhe më vështirë e shpjegueshme është reduktimi i gjurmimit të kontakte të personave të prekur me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Duke reaguar për vdekjen e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare, kjo shoqatë ka kërkuar që për këtë duhet dhënë përgjegjësi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovë, Basri Sejdiu duhet të japë dorëheqje “ose të shkarkohet nga Bordi i Shërbimit Spitalor”, thuhet në reagim.

*

Fluturimet në Aeroportin “Adem Jashari” në intervale 45 minuta ndërmjet aterrimeve 

Qeveria e Kosovë ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të mëhershëm të qeverisë të datës 23 qershor 2020 për rifillimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Me plotësimet dhe ndryshimet e miratuara fluturimet në ANP “Adem Jashari” do të organizohen në intervale prej minimum 45 minutave ndërmjet aterrimeve. Aeroplanët ad-hoc taxi nuk i nënshtrohen këtij rregulli. Vendimi hyn në fuqi nga data 9 korrik 2020.

*

Covid ndikon në uljen e vizitorëve nga Kosova në Shqipëri, Turqi e Mal të Zi

Numri i vizitorëve nga Kosova në Shqipëri është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e pikës kufitare Vërmicë-Morinë tregojnë se gjatë muajit qershor 2019, afër 270 mijë qytetarë nga Kosova ishin nisur drejt bregdetit shqiptar, ndërsa gjatë qershorit të këtij viti vetëm 130 mijë. Aranzhimet për Turqi janë reduktuar në maksimum, përderisa ato që kanë qenë të rezervuara më herët po ri-destinohen në vende tjera. Por për momentin turistët nga Kosova nuk mund të shkojnë as në Mal të Zi, një vend tjetër i preferuar për pushime, posaçërisht në Ulqin. Pasi qeveria e Malit të Zi ka në fuqi vendimin që për të hyrë në atë vend, qytetarët e Kosovës duhet të posedojnë testin negativ ndaj Covid-19. E për të bërë testet për qejf, është thuajse mision i pamundur në Kosovë. Megjithatë, fundjava e parë e muajit korrik ka krijuar kolona në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë, pasi që qytetarët nga Kosova kishin vendosur të kalonin një fundjavë në bregdetin shqiptar. Në mëngjesin e së shtunës, nga ora 05:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit, kanë hyrë rreth 8 mijë vetura nga Kosova drejt Shqipërisë.

*

Kurti: Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme 

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme si për shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe për shëndetin e demokracisë dhe të shtetit.

Ish-kryeministri i Kosovës ka deklaruar këtë në mbledhjen e 40-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dikur e kanë frikësuar popullin, tash po i frikësohen zgjedhjeve. E zgjedhjet janë zgjidhja edhe për shëndetin e qytetarëve, edhe për shëndetin e demokracisë, edhe për shëndetin e shtetit”, ka thënë Kurti.

Kurti në fillim të fjalimit të tij ka folur për pandeminë dhe ka bërë thirrje te qytetarët e Kosovës që të respektojnë masat mbrojtëse për të shpëtuar jetën e tyre dhe të dashurve të tyre.

*

Ministrja Haradinaj-Stublla takon ambasadorin e Turqisë në Kosovë Sakar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar. Siç njofton komunikata nga Ministria, ministrja kosovare i ka shprehur falënderim ambasadorit Sakar për “mbështetjen e Turqisë në të gjitha proceset e avancimit të Kosovës si shtet”.

“Prita në takim miqësor Ambasadorin e Turqisë. Me këtë rast, shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e Turqisë në të gjitha proceset e avancimit të Kosovës si shtet dhe e falënderova ambasadorin Sakar për përkrahjen dhe ndihmat mjekësore të shtetit turk gjatë pandemisë COVID-19”, tha ministrja Haradinaj-Stublla.

Në këtë takim është diskutuar edhe harmonizimi i agjendës dhe prioriteteve në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), tani që Turqia ka marrë nga Kosova kryesimin e radhës.

*

Protestë ndaj racizmit institucional të BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës

Një grup qytetarësh kanë protestuar nëpërmjet një aksioni simbolik para Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë për të shprehur pakënaqësinë për mos-liberalizimin e vizave për kosovarët. Ata kanë formuar radhë para objektit të BE-së në Prishtinë, në shenjë solidariteti ndaj pritjeve të qytetarëve nëpër ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë për të marrë vizë, teksa kanë mbajtur në duar fotografi me pyetjen “Sa duhet të presim?”.

Motoja e aksionit “Kosovo Can’t Breathe” (Kosova s’mund të frymojë), në sinkronizim me protestën në SHBA ndaj racizmit, sipas pjesëmarrësve të këtij aksioni ka për qëllim të shprehë pakënaqësinë ndaj “racizmit institucional të BE-së, i cili nuk po e ndalë diskriminimin ndaj qytetarëve të Kosovës, duke mos i dhënë̈ të drejtën e lëvizjes së lirë”.



Lajme të ngjashme