Rreth 95% e të burgosurve palestinezë torturohen në burgjet izraelite

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë deklaroi se gati 95% e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite u nënshtrohen torturave që në çastin e parë të ndalimit e deri në hyrjen e tyre në burg.

1443864
Rreth 95% e të burgosurve palestinezë torturohen në burgjet izraelite

Njoftimi i shoqatës erdhi me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, e cila shënohet më 26 qershor.

“Izraeli praktikon metoda të shumta për t'i torturuar të burgosurit fizikisht dhe mendërisht përmes një sistemi të dhunës gjithëpërfshirëse”, thuhet në këtë deklaratë.

Sipas saj, të burgosurit palestinezë u nënshtrohen praktikave të tilla si “izolim në qeli njëshe pa kushte sanitare, bastisje sistematike dhe lënie në vdekje graduale si pasojë e neglizhencës mjekësore”.

Pasi nënvizon se procesi i marrjes në pyetje është faza më e rëndësishme e torturës, shoqata në fjalë tërheq vëmendjen se të arrestuarit palestinezë detyrohen të pranojnë krimin e tortura mendore dhe fizike.

“Të burgosurit lihen pa gjumë përmes seancave të marrjes në pyetje që zgjasin deri në 20 orë, lidhen në karrige për një kohë të gjatë dhe me metoda që ndalin qarkullimin e gjakut në trup, atyre u vendosen trasta të ndotura në kokë, rrihen vazhdimisht me shuplaka e shqelma, shahen dhe poshtërohen në mënyrë të qëllimshme”, theksohet më tej në këtë njoftim.

Gjithnjë sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, autoritetet izraelite po ashtu i kërcënojnë të burgosurit me arrestim, përdhunim e vrasje të anëtarëve të familjeve dhe prishje të shtëpive të tyre, nuk i lejojnë ata të bëjnë banjë, të kryejnë nevojat personale apo edhe të ndërrojnë rrobat për javë të tëra, si dhe i lënë të ekspozuar ndaj të ftohtit, të nxehtit dhe zhurmave ekstreme.

Të dhënat e autoriteteve palestineze flasin për të paktën 5.000 palestinezë që mbahen në burgjet izraelite aktualisht.



Lajme të ngjashme