Turqia dërgoi ndihma mjekësore në Afganistan

Avioni transportues ushtarak “Koca Yusuf” u nis nga Ankaraja drejt Afganistanit me ndihmat mjekësore që Turqia ka përgatitur në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

1434060
Turqia dërgoi ndihma mjekësore në Afganistan

Në kuadër të luftës kundër COVID-19, Turqia vazhdon ndihmat e saj me produkte mjekësore për vendet e prekura nga pandemia. Deri tani Turqia ka plotësuar kërkesat që i kanë ardhur nga 125 vende të ndryshme të botës. Listës Turqia i ka shtuar edhe një vend të ri, Afganistanin.

Me udhëzim të Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) Ministria e Shëndetësisë përgatiti materiale të ndryshme mjekësore për Afganistanin.

Materialet e përgatitura u sollën me kamionë në aeroportin ushtarak “Etimesgut” në Ankara. Mbi kutitë me ndihma krahas stemës së Presidencës, janë ngjitur flamujt e Turqisë dhe të Afganistanit si dhe thënie nga poeti mistik dhe dijetari Mevlana, i njohur edhe si Rumi: "Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell" dhe “Me dashuri nga Turqia për popullin afgan”.

Pakot me ndihma u kontrolluan edhe me qen antibombë dhe pastaj u ngarkuan në avionin ushtarak tip “A400M”. Pastaj avioni “Koca Yusuf” u nis drejt kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Avionët “A400M” të Forcave të Armatosura të Turqisë, në kuadër të luftës kundër COVID-19 kanë transportuar ndihma mjekësore edhe më parë në vendet si Itali, Spanjë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Britani, ShBA dhe Somali.

 


Lajme të ngjashme