Koronavirusi – Italia lë pas Kinën për shkallën e vdekjeve, gati e tërë bota në karantinë

Italia, epiqendër e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në Evropë, është tashmë vendi me shkallën më të lartë të vdekjeve nga kjo sëmundje.

1381934
Koronavirusi – Italia lë pas Kinën për shkallën e vdekjeve, gati e tërë bota në karantinë

Nga shpërthimi i koronavirusit më 21 shkurt e deri më sot, në Itali janë regjistruar 41.035 të infektuar, 4.440 të shëruar duke përfshirë një të porsalindur, si dhe 3.405 të vdekur, mes të cilëve edhe 13 mjekë.

Shtypi lokal italian bëri me dije se autoritetet e kanë të pamundur të realizojnë në kohë procedurat e varrimit dhe shumë kufoma presin nëpër kisha.

Kurse Ministria e Shëndetësisë së Spanjës deklaroi se vdekjet nga pandemia COVID-19 në vend kanë shënuar një rritje mbi 30% në 24 orët e fundit duke shkuar në 1002. Numri i rasteve të konfirmuar në këtë shtet ka arritur në 19.980.

Franca, ku rastet e konfirmuara janë tashmë 10.995, ka raportuar 108 vdekje gjatë ditës së fundit, gjë që e ka çuar në 372 numrin e viktimave nga koronavirusi.

Nga ana tjetër, Presidenti Emmanuel Macron ka reaguar ndaj qytetarëve që shkelin kufizimin e lëvizjes së lirë me përjashtim të situatave të detyrueshme.

“Shoh disa njerëz që shkojnë në park, në plazh apo në treg. Këta persona nuk e kanë kuptuar mesazhin tonë”, deklaroi ai dhe vuri në pah se deri më tani, mbi 4.000 persona në Francë janë gjobitur me nga 135 euro për mungesë të dokumentit autorizues me arsyetimin e daljes nga shtëpia.

Festivali i Filmit në Kanë, një prej aktiviteteve kulturore me famë botërore të Francës, u shty për në fund të muajit qershor.

Sipas medias franceze, 3 mjekë kanë bërë kallëzim penal ndaj Kryeministrit Edouard Philippe dhe ish-ministres së Shëndetësisë Agnez Buzyn, e cila dha dorëheqje muajin e kaluar, me motivacionin se nuk kanë marrë masa në kohë kundër epidemisë; ndërsa personeli shëndetësor ka reaguar për shkak të pamjaftueshmërisë së maskave mbrojtëse.

Holandë, 18 qytetarë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të pandemisë COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Mjedisit (RIVM) njoftoi se numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 2.460 dhe i vdekjeve në 76.

Transmetuesi publik holandez “NOS” raportoi se ministri i Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Sportit, Bruno Bruins, i cili u alivanos gjatë një seance parlamentare për masat kundër koronavirusit të mërkurën në mbrëmje, ka dhënë dorëheqjen me justifikimin e ngarkesës së madhe të punës.

Parlamenti Evropian do të mblidhet me agjendë të jashtëzakonshme më datë 26 mars për të miratuar masat speciale për tipin e ri të virusit korona, kurse seanca plenare e planifikuar për t'u mbajtur më 1-2 prill u anulua.

Këshilli Evropian bëri me dije shtyrjen e Samitit të Liderëve të BE-së, i cili do të zhvillohej me pjesëmarrjen e krerëve të 27 vendeve më 26 dhe 27 mars. Në vend të samitit në fjalë, liderët e Unionit do të zhvillojnë një videokonferencë javën e ardhshme për të diskutuar rreth luftës kundër llojit të ri të koronavirusit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi shtyrjen ose anulimin e stërvitjeve për shkak të kërcënimit pandemik COVID-19.

“Jemi duke jetuar një krizë të paprecedentë. Ne kemi kapërcyer kriza edhe më parë, prandaj edhe këtë krizë do ta kapërcejmë së bashku”, deklaroi ai përmes një videomesazhi.

Zyra për Shtyp e Principatës së Monakos njoftoi se Princi Albert II ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit.

Kurse në Britaninë e Madhe është rritur në 144 numri i viktimave dhe në 3.269 ai i të infektuarve nga virusi në fjalë. Kryeministri Boris Johnson tha se situata mund të përmbyset në 12 javë në rast se qytetarët u përmbahen rekomandimeve në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19.

Gjermania ka raportuar 44 të vdekur dhe 15.320 raste të konfirmuara, Zvcira 43 vdekje dhe 4.222 infektime, ndërsa Belgjika 37 të vdekur dhe 2.257 pacientë me koronavirus.

Shqipëri, ku janë regjistruar 2 viktima deri më sot, rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri kanë arritur në 70, mes tyre edhe 3 shtetas italianë që ndodhen aktualisht në Tiranë. Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i transportit urban, i qarkullimit të automjeteve private, i aktiviteteve futbollistike dhe i fluturimeve me disa shtete, por edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se në vend ka 21 të infektuar me COVID-19 deri më tani.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në vend janë regjistruar edhe 6 raste të reja të koronavirusit, të cilat e çojnë numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 67.

Vdekjet nga sëmundja në fjalë janë tashmë 7 në Australi, ku numri i pacientëve me COVID-19 ka shkuar në 756.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku 14.366 njerëz kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirusin dhe të paktën 217 kanë vdekur, bënë një njoftim në cilësinë e një paralajmërimi të paprecedent, ku amerikanët këshillohen të mos udhëtojnë jashtë vendit. Në udhëzimin e ri, amerikanëve u bëhet thirrje të kthehen në SHBA atje ku ekziston mundësia, ose të qëndrojnë brenda kudo që ndodhen nëpër botë.

Guvernatori i Kalifornisë, një prej zonave më të prekura të vendit, lëshoi “urdhrin e qëndrimit në shtëpi” me efekt detyrues në të gjithë territorin e këtij shteti amerikan. Kurse në Pensilvani u dha direktivë për mbylljen e të gjitha bizneseve.

Presidenti Donald Trump vendosi që Samiti i Liderëve të G7-s, në plan të organizohej më 10-12 qershor në Merilend, të mbahet me videokonferencë si masë kundër shqetësimeve rreth pandemisë COVID-19.

Në Amerikën Latine, Kolumbia vendosi që të mbyllë për 30 ditë të gjitha hyrjet në vend nga jashtë shtetit, përfshi këtu edhe qytetarët kolumbianë. Ndërkohë që në Peru një 78-vjeçar humbi jetën për shkak të koronavirusit të ri, Argjentina ka njoftuar se do të izolohet për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, e cila ka marrë 3 jetë deri më tani në këtë vend.

Kurse në Haiti, ku u diagnostikuan 2 rastet e para me COVID-19, u shpall “gjendje emergjente” dhe u njoftua se do të mbyllen të gjitha fabrikat, shkollat, aeroportet dhe portet detare në shkallë vendi.

Sipas shifrave zyrtare, numri i viktimave të koronavirusit është mbi 10.000 në mbarë botën.



Lajme të ngjashme