Inkubacioni i koronavirusit (2019-nCoV) mund të zgjasë 24 ditë

Periudha e inkubacionit të koronavirusit të ri 2019-nCoV në disa raste mund të arrijë deri në 24 ditë, njofton media elektronike kineze referuar studimit të një grupi të njohur epidemiologësh kinezë.

Inkubacioni i koronavirusit (2019-nCoV) mund të zgjasë 24 ditë

Një studim i bërë në Kinë ka nxjerrë në pah se koha e inkubacionit të koronavirusit të ri mund të zgjasë 24 ditë.

Sipas një lajmi që ka zënë vend në median lokale, Zhong Nanshan, një nga epidemiologët më të njohur të Kinës bashkë me ekipin e tij kanë studiuar rezultatet e siguruara deri më tani nga mbikëqyrja mjekësore e 1099 personave të diagnostikuar me koronavirus.

Nga studimi retrospektiv i këtyre rasteve doli se vetëm 13 prej të infektuarve kishin pasur kontakt me kafshë të egra; vetëm rreth 1/3 ishin gjendur në qytetin Wuhan, prej ku shpërtheu epidemia. Një konkluzion tjetër në të cilin arritën epidemiologët kinezë është se koha e inkubacionit të koronavirusit shkon deri në 24 ditë.

Detajet e studimit janë publikuar në “medRvix” dhe sipas përfundimeve të arritura koha mesatare e inkubacionit është konstatuar 3 ditë, kurse në një studim tjetër kjo periudhë ishte përcaktuar 5 ditë.

Sipas specialistëve temperatura e lartë është konstatuar si simptomë e parë vetëm në 43,8% të pacientëve; tek 90% e tyre temperatura ka shënuar rritje pasi ata kanë shkuar në spital, dhe ¼ kanë pasur probleme shëndetësore edhe më parë.

Gjatë procesit të shtrimit në spital raporti i komplikacioneve më të përhapura është pneumonia me 79,1% dhe insuficienca respiratore akute me 3,37%.

Numri i viktimave nga koronavirusi tip i ri, që është shfaqur në qytetin Wuhan të Kinës, është rritur në 909, kurse numri i personave të infektuar ka shkuar në 40 mijë e 613.

 


Lajme të ngjashme