Regjistrohen raste të reja me koronavirusin në ShBA

ShBA ka konfirmuar tre raste të reja të koronavorusit vdekjeprurës nga Kina, duke e çuar në pesë numrin e të infektuar nga ky virus.

Regjistrohen raste të reja me koronavirusin në ShBA

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka njoftuar se dy persona në Kaliforni dhe një në Arizona janë diagnostikuar me virusin vdekjeprurës.

Që të tre kishin vizituar qytetin kinez Vuhan, ku fillimisht u shfaq virusi.

Dy rastet e para në ShBA u konfirmuan javën e kaluar, një në Seattle, Uashington dhe një tjetër në Çikago, Illinois.

Koronavirusi, i emëruar kështu pasi nën mikroskop ngjan me një kurorë, ose koronë në gjuhën latine, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 80 njerëzve në Kinë, ndërsa më shumë se 2.700 persona janë infektuar.

Qytetet janë vënë në karantinë dhe Kina po ndërton një spital me kapacitet për 1.000 persona për të infektuarit.

Virusi gjithashtu është shpërndarë në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, ShBA, Singapor, Francë, Vietnam dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën, ndërsa shumë linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Vuhan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbajti një takim të enjten, ku publikoi vendimin për shpalljen e emergjencës shëndetësore, duke thënë se kishte nevojë për më shumë informacion në lidhje me virusin. (AA)

 


Lajme të ngjashme