HIV/SIDA – Rreth 770 mijë të vdekur në vitin 2018

Në të gjithë botën vitin e kaluar kanë humbur jetën rreth 770 mijë njerëz për shkak të Virusit të Mungesës së Imunitetit Human/Sindromës së Mungesës së Imunitetit të Fituar (HIV/SIDA).

HIV/SIDA – Rreth 770 mijë të vdekur në vitin 2018

Në një raport të publikuar nga Programi i Përbashkët i OKB-së për HIV-in dhe SIDA-n (UNAIDS) thuhet se që nga fillimi i epidemisë së HIV-it e deri më tani janë infektuar 74,9 milionë persona, ndërkohë që 32 milionë kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjeve të lidhura me HIV/SIDA-n.

Në raportin e UNAIDS thuhet se vitin e kaluar në botë kanë rezultuar 37,9 milionë njerëz bartës të HIV-it. Kjo shifër ka qenë 36,9 milionë në vitin 2017 dhe 36,7 milionë në 2016-n.

Nga bartësit e HIV-it, vitin e kaluar 36,2 milionë kanë qenë të rritur, ndërsa 1,7 milionë fëmijë nën moshën 15 vjeç.

Në raport theksohet se në vitin 2018 rreth 79 për qind e bartësve të HIV-it ishin të vetëdijshëm për situatën e tyre.

Ndër të tjera bëhet e ditur se në vitin 2018 rreth 1,7 milionë persona janë infektuar me HIV, ndërsa 770 mijë njerëz kanë humbur jetën për shkak të HIV/SIDA-s.

Më shumë se 20 milionë njerëz me HIV në Afrikën Lindore dhe Jugore

Sipas raportit të UNAIDS, në Afrikën Lindore dhe Jugore janë regjistruar 20,6 milionë persona bartës të HIV-it shkaktar të SIDA-s në vitin 2018.

Kjo u pasua nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore me mesatarisht 5 milionë njerëz, nga Azia dhe Paqësori me 5,9 milionë, Amerika Latine me 1,9 milionë, Karaibet me 340 mijë, Evropa Lindore dhe Azia Qendore me 1,7 milionë, Evropa Perëndimore e Qendrore dhe Amerika Veriore me 2,2 milionë, si dhe nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore me mesatarish 240 mijë.

Vërehet rënie me 1/3 në vdekjet me burim HIV-in

Sipas raportit, norma e vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet me burim HIV-in, nga 1,7 milionë në vitin 2014 ka rënë në 770 miijë vitin e kaluar. Që nga viti 2010 e deri më tani është vërejtur një rënie me 33 për qind në nivelin e vdekjeve me burim HIV-in.

Rënia e këtyre normave në nivel global është siguruar nga arritjet në luftën kundër sëmundjeve në Afrikën Lindore dhe Jugore, rajone që kryesojnë me 54 për qind të bartësve të HIV-it në botë. Norma e vdekjeve për shkak të HIV-it në rajon ka rënë me 44 për qind që nga vitin 2010 e deri në vitin 2018.

Vitin e kaluar u trajtuan 24,5 milionë persona

Sipas raportit të UNAIDS, vitin e kaluar testet dhe trajtimet kanë arritur më shumë tek personat bartës të HIV-it. Vitin e kaluar 24,5 milionë njerëz që jetonin me HIV, kanë pasur qasje në terapitë antiretrovirale. Në vitin 2015 janë trajtuar 17,2 milionë njerëz, në 2016 janë trajtuar 19,4 milionë dhe në vitin 2017 janë trajtuar 21,7 milionë njerëz.

Diagnostikimi mund të bëhet brenda ditës me testin e shpejtë për HIV-in

Virusi HIV shkakton SIDA-n duke dëmtuar sistemin imunitar.

Virusi mund të transmetohet tek një person tjetër nëpërmjet gjakut, spermës, lëngjeve vagjinale ose ushqyerjes me gji nga një person i infektuar me HIV. Gjithashtu HIV transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale pa mjete mbrojtëse, transplantimit të gjakut e organeve, si dhe nga nëna te foshnja.

Theksohet se ilaçet antiretroviale mund të kontrollojnë virusin, të ndihmojnë në parandalimin e infektimit të të tjerëve dhe se HIV-i mund të diagnostikohet brenda ditës nëpërmjet rezultateve të testimeve të shpejta për HIV; gjë kjo që lehtëson proceset e trajtimit dhe kujdesit. / AA



Lajme të ngjashme