Kuzhina turke - Supë kosi (supë e ftohtë)

A e dini se kosi në botë u përhap falë turqve dhe se fjala “jogurt” (kos) ka hyrë në shumë gjuhë nga turqishtja?

Yoğurtlu_çorba.jpg

Receta nga kuzhina turke – Supë kosi

Kosi, i cili prodhohet si rezultat i fermentimit të qumështit, zë një vend shumë të rëndësishëm në kuzhinën turke. Ndonjëherë e gjejmë atë si salcë mbi gjellë, nganjëherë si përbërës kryesor të gjellës e njëherë tjetër edhe të trazuar me ujë si “dhallë”. Mirëpo a e dini se kosi në botë u përhap falë turqve dhe se fjala “jogurt” (kos) ka hyrë në shumë gjuhë nga turqishtja? Ky super ushqim, i cili është bërë i njohur gjerësisht në botë që nga shekulli i 19-të, në kuzhinën turke përdoret prej shekujsh. Natyrisht, ka shumë receta me kos në kuzhinën turke. Njëra prej tyre është edhe “supa me kos”. Edhe ne në programin e kësaj jave do të ndajmë me ju recetën për gatimin e kësaj supe që njihet edhe si “supë e ftohtë”. Kjo supë, përbërësit kryesorë të së cilës janë kosi, gruri dhe qiqra dhe që përgatitet pa zierje, konsumohet e ftohtë dhe është një alternativë shumë e shëndetshme për ditët e nxehta të verës.  

Harxhet e nevojshme:

  • gjysmë gote uji me qiqra
  • 1 gotë uji me grurë
  • 3 gota uji me kos
  • 5 gota me ujë
  • 1 lugë e vogël me nenexhik të tharë ose të njomë
  • pak kripë dhe piper të zi

Gatimi i supës së kosit: Fillimisht grurin dhe qiqrat i lëmë të qëndrojnë në ujë një natë më parë. Nëse dëshironi mund të përdorni qiqra të ziera të gatshme. Të nesërmen e derdhim ujin e grurit dhe qiqrave, i lajmë mirë dhe tenxheren ku do t’i ziejmë e mbushim me ujë deri sa uji të mbulojë grurin dhe qiqrat. Pasi fillojnë të zihen e ulim zjarrin dhe vazhdojmë ti ziejmë deri sa të zbuten. Nëse përdorni qiqra të ziera të gatshme ato i shtoni kur gruri të jetë gati në të zier. Pasi të jenë zier i heqim nga zjarri dhe i lëmë të ftohen. E rrahim kosin, kripën dhe piperin e zi. Grurit dhe qiqrave të ftohura u shtojmë kosin dhe i përziejmë. Supën e lëmë të ftohet në frigorifer. Pasi të ftohet sipër hedhim nenexhikun e tharë ose të njomë dhe e shërbejmë. Ju bëftë mirë.

 


Lajme të ngjashme