Itali – Evakuohen edhe 13 emigrantë të tjerë nga anija e “Open Arms”

Anija e OJQ-së spanjolle “Proactiva Open Arms”, e cila pret të ankorohet në afërsi të ishullit Lampedusa të Italisë për të zbritur emigrantët e shpëtuar në Mesdhe, ka evakuuar edhe 13 emigrantë të parregullt të tjerë që nga mbrëmja e së enjtes.

1253694
Itali – Evakuohen edhe 13 emigrantë të tjerë nga anija e “Open Arms”

Riccardo Gatti, përgjegjës i “Open Arms” për Italinë, u prononcua të premten lidhur me emigrantët që presin në anijen e organizatës së përfaqësuar prej tij, pasi Ministria italiane e Punëve të Brendshme nuk lëshon lejet e nevojshme.

“Në anije janë 134 emigrantë aktualisht. Nga mbrëmja e djeshme deri në mëngjes u evakuuan fillimisht 9 emigrantë, më pas edhe 4 të tjerë; në total 13 emigrantë”, sqaroi ai.

Gatti theksoi se 29 nga gjithsej 134 emigrantët në bordin e anijes në fjalë janë fëmijë dhe vetëm njëri prej tyre është i shoqëruar nga prindërit.

Ndërkaq “Open Arms” deklaroi përmes llogarisë zyrtare në rrjetin social “Twitter” se emigrantët në bordin e anijes së saj kanë lënë pas edhe ditën e 15-të.

“Të gjithë emigrantët duhet të evakuohen sa më parë, humanizmi e kërkon këtë”, nënvizohet në postimin e OJQ-së spanjolle.

Sipas medias italiane, Prefektura e Agrigentos është në pritje të udhëzimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme për lejuar ankorimin e anijes në port dhe zbritjen e emigrantëve, por Prokuroria e Përgjithshme e Agrigentos mund të ndërhyjë në këtë çështje pasi është konstatuar se nuk po zbatohet vendimi i Gjykatës Rajonale Administrative të Lazios (TAR).



Lajme të ngjashme