“Amnesty International” lëshon paralajmërim udhëtimi për SHBA-në

Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International – AI) lëshoi të mërkurën ​​një paralajmërim udhëtimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve të armatosura të fundjavës në Teksas dhe Ohajo me pasojë vdekjen e mbi 30 personave.

“Amnesty International” lëshon paralajmërim udhëtimi për SHBA-në

Përmes një komunikate të postuar në rrjetin social “Twitter”, grupi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut me seli në Britaninë e Madhe u bëri thirrje njerëzve anembanë botës që “të bëjnë kujdes maksimal” dhe “të kenë një plan emergjence” kur udhëtojnë nëpër SHBA.

“Kjo Këshillë Udhëtimi po lëshohet në dritën e niveleve të larta të dhunës me armë në vend”, tha organizata në fjalë.

AI-ja theksoi gjithashtu se rreziku për t’u shënjuar nga dhuna me armë mund të jetë më i lartë në varësi të gjinisë, racës, vendit të origjinës, prejardhjes etnike apo orientimit seksual.

“Sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë detyrimin të miratojnë një sërë masash në nivelin federal, shtetëror dhe lokal për të rregulluar qasjen në armë zjarri dhe për të mbrojtur të drejtat e njerëzve për të jetuar dhe lëvizur lirshëm pa kërcënimin e dhunës me armë”, shtoi “Amnesty International”.

Organizata nënvizoi se administrata e Presidentit Donald Trump “nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm” për të përmbushur këtë detyrim.

“Amnesty International” gjithashtu rekomandoi që udhëtarët të jenë të kujdesshëm për gjithëpraninë dhe kudogjendjen e armëve të zjarrit në mesin e popullatës, të shmangin vendtubimet e njerëzve dhe të bëjnë kujdes shtesë kur vizitojnë bare dhe klube nate lokale.

Një sulm i armatosur të shtunën vonë në një qendër tregtare të qytetit El-Paso, në Teksas të SHBA-së, u mori jetën 22 personave dhe la të plagosur 26 të tjerë.

Vetëm disa orë pas këtij sulmi, në orët e para të së dielës, 9 persona të tjerë u vranë si pasojë e një sulmi me armë zjarri përpara një bari në qytetin Dejton të Ohajos.

Pas hetimeve nga njësitë e sigurisë amerikane, u njoftua se të dyja sulmet kishin motive të “racizmit/supremacisë së bardhë”, ndërsa sulmi në Teksas u vlerësua si “terrorizëm i brendshëm”.



Lajme të ngjashme